Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Përjashtohet Çutra, paralajmërohet edhe Gruda!

Humbja në Sarandë nuk është pritur mirë nga presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, i cili ka marrë menjëherë masa ndaj futbollistëve të tij. Numri një i skuadrës lezhjane, që njihet për marrëdhëniet korrekte me lojtarët për sa i përket anës financiare, e ka përjashtuar përfundimisht nga ekipi mbrojtësin Xhynejt Çutra me arsyen se nuk ka dhënë më të mirën në fushën e blertë në sfidën ndaj Himarës. “Askush nuk mund të tallet me investimin tim te Besëlidhja. Kemi humbur në ndeshjen ndaj Butrintit vetëm se kemi toleruar në disa raste, dhe këtë e kanë bërë lojtarë të veçantë. Gruda pak përpara golit ka pasur një rast të pastër për të shënuar, por nuk e ka vlerësuar siç duhet, duke mos e dërguar topin në rrjetë.

Ndërsa Çutra në rastin e golit nuk ka ndërhyrë siç duhet e në momentin e duhur, e për rrjedhojë e pësuam, duke humbur një trepikësh me mjaft vlera, të cilin jam i sigurt se nëse do ishim impenjuar më shumë do e kishim marrë. Për këtë motiv Çutrën e kam përjashtuar përfundimisht nga skuadra, ndërsa Grudën e kam paralajmëruar dhe në rast se në ndeshjen e ardhshme nuk do të japë më të mirën, atëherë e njëjta masë do të jetë edhe për të. Nuk e kuptoj se çfarë duan këta futbollistë, pasi nuk u ka munguar asgjë. Me rrogat kam qenë i rregullt, ashtu edhe me premiot. Por të shoh në fushë lojtarë pa karakter, kjo është e tepërt. Edhe djali im të ishte në fushë në këtë ndeshje, do ta kisha përjashtuar po të mos kishte dhënë maksimumin”, – ka thënë Noka për “Panorama Sport”.

Ndërkohë presidenti ka rezerva edhe për gjykimin. “Në ndeshjen ndaj Himarës pjesën e parë gjyqtari ka gjykuar mirë, kurse në të dytën në mënyrë skandaloze. Në rast se ka njerëz që po e vrasin futbollin, ata janë gjyqtarët”, – është shprehur drejtuesi lezhjan, i cili në mbyllje të deklaratës së tij pohon: “Në janar sigurisht që do të futem në merkato dhe do të afroj lojtarë të rinj, për ta përforcuar akoma më shumë ekipin, në mënyrë që të realizojmë objektivin sezonal”. (Panorama Sport)
    
Back To Top