Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 13: Dinamo - Besëlidhja 1:0. Kriza vazhdon!

Besëlidhja mundet përsëri në transfertë. Bluve u ka mjaftuar një gol i kroatit Djarmati 10 minuta para fundit të sfidës për të kthyer kështu faqe dhe të reflektojnë pas atyre tri humbjeve radhazi në kampionat. Por nëse dinamovitët i gëzohen kësaj fitoreje të rëndësishme, janë lezhjanët ata që kontestojnë fort gjykimin, kjo pas anulimit nga ana e asistentit të golit të shënuar nga Peqini në minutat e fundit të ndeshjes. Nuk kanë munguar as kartonët e kuq, nga një për secilën skuadër. Në fillim është portieri Xhika, i cili në minutën e 82-të lë me 10 lojtarë skuadrën e tij, ndërsa në minutat shtesë është Sekseni që ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë për Dinamon.

Për sa i përket sfidës, ajo nisi disi më e mirë për Besëlidhjen, ku futbollistët miq kërkonin më me ngul golin e avantazhit. Blutë nga ana tjetër nuk bëjnë një fillim të mirë, pasi janë të paqartë në lojën e tyre. Lezhjanët janë më saktë në mesfushë dhe qarkullojnë mirë topin, por para portës së Lamellarit sulmuesit humbasin raste flagrante. Me kalimin e minutave, Dinamo fillon të reagojë dhe tregon shpirt gare duke guxuar përpara. Mirëpo, në momentin më të mirë për të besuarit e trajnerit Mehmeti, gjyqtari Koçi sinjalizon për përfundimin e pjesës së parë. Nuk ka më kohë për këtë 45-minutësh, ndërsa fraksioni i dytë i takimit nis me nga një zëvendësim për secilën skuadër. Për Dinamon del Serjani dhe hyn Rakipi, ndërsa për Besëlidhjen Beqiri ia lë vendin Haxhiut. Në këtë pjesë lojë, blutë duken më të karikuar dhe këshillat e dhëna nga trajneri Mehmeti i kanë dhënë më tepër besim futbollistëve, të cilët tashmë e shohin më shpesh portën kundërshtare. Por pavarësisht përpjekjeve të shumta për të kaluar në avantazh, goli për Dinamon do të vinte në minutën e 80’-të. Sulejmani ekzekuton shkurt një goditje nga këndi dhe Djarmati i gjendur vetëm në zonë shkarkon të djathtën e tij, ndërsa topi kalon si fillim mes këmbëve të disa futbollistëve dhe më pas përfundon në cepin e djathtë të portierit Xhika.

Goli u jep më shumë besim dinamovitëve, ndërsa Rakipi mund të dyfishonte rezultatin në minutën e 82-të, nëse nuk do të pengohej nga Xhika. Sulmuesi i bluve pas një asisi të marrë nga Djarmati driblon portierin kundërshtar, ndërsa ky i fundit shkakton faull ndaj dinamovitit, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Koçi, i cili e cilëson si lojtarin e fundit “gardianin” e Besëlidhjes. Pas këtij rasti, në kampin e vendasve bie qetësia, pasi mjafton të administrohet avantazhi në minutat e mbetura. Në minutën e 90-të, Sekseni do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë, duke barazuar numrin e lojtarëve në fushën e lojës. Momenti më i dyshimtë i takimit ishte në minutën e parë shtesë, kur Besëlidhja arrin të shënojë me anë të Peqinit, por gjyqtari anësor e konsideron të parregullt pozicionin e lezhjanit. Kontestimet janë të shumta nga ana e kampit të miqve, por asgjë nuk ndryshon për arbitrin kryesor, i cili pas këtij momenti vërshëllen edhe për përfundimin e takimit, 90-minutësh që pa si fitues dinamovitët e trajnerit Mehmeti, të cilët ngjiten në vendin e 7-të në tabelën e klasifikimit. (Sporti Shqiptar)

Dinamo - Besëlidhja   1:0
Shënues: Djarmati 80’
Dinamo: Lamellari, Rexhepi, Sekseni, Likmeta, Traga, A. Kule, Sulejmani, Tiago (Hasa 73’) , Serjani (Rakipi 46’), Tiago, Djarmati (E. Kule 89’) Trajner: D. Mehmeti
Besëlidhja: Xhika, Shytani, Peqini, K. Dibra ( Ri. Danaj83’), S. Danaj, Gruda, Lekaj, Beqiri (Haxhiu 46’), Malasi, A. Dibra, R. Danaj(Nekaj 89’)  Trajner: A. Kruja
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Elezi, F. Lame
Kartonë të verdhë: Sekseni 48’, 90’ (2), Djarmati 57’, Muça 90’/ Peqini 37’, K. Dibra 75'
Kartonë të kuq: Sekseni / Xhika
 
Back To Top