Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Merkato në janar, do të ketë edhe largime

Besëlidhja këtë fundjavë do të përballet ndaj Dinamos, në një ndeshje ku do të kërkojë me çdo kusht pikët e plota. Numri një i presidencës lezhjane, Gjok Noka, në një bisedë për “Panorama Sport” e ka përgënjeshtruar faktin se skuadra që ai financon është në krizë. Sipas tij, me kushtet e krijuara të akomodimit dhe stërvitjes kjo skuadër duhej të ishte më lart, megjithëse ai ka pohuar se nuk do të heqë dorë nga objektivi final: renditja në dy vendet e para të klasifikimit. “Nuk është e vërtetë që Besëlidhja është në krizë, vetëm se nuk arritëm të fitonim me Kamzën. Pavarësisht se jemi ulur shumë në renditje, kjo nuk do të thotë se tashmë gjithçka është vendosur përfundimisht. Me kushtet e akomodimit dhe stërvitjes që kemi krijuar, duhej të kishim grumbulluar më shumë pikë dhe rrjedhimisht të ishim shumë më lart në renditje. Mirëpo, në futboll gjithçka mund të ndodhë. Përveç tri ndeshjeve të fazës së parë, pra nëntë pikëve që janë në lojë, kemi edhe gjithë fazën e dytë në dispozicion. Pra koha e reflektimit është e mjaftueshme për të arritur objektivin. Deri më tani janë luajtur 12 takime, nga të cilat kemi humbur vetëm katër dhe të gjitha në transfertë. Mirëpo, të mos harrojmë se kemi marrë edhe dy barazime me vlerë jashtë fushe, ndërsa në shtëpi nuk kemi pësuar asnjë dështim”.

Synimi - Duke vijuar më tej, presidenti Gjok Noka ndalet edhe te sfida që do të luajnë këtë fundjavë ndaj Dinamos. “Sa i përket ndeshjes së radhës, që do ta zhvillojmë në transfertë ndaj bluve, do të kërkojmë nga futbollistët një reflektim të plotë, çka do të thotë mosdaljen pa pikë nga fusha e lojës, pse jo dhe fitoren e parë në transfertë. Tri ndeshjet e fundit të kësaj faze janë edhe barometri ku do të mbështetem për të ndërtuar Besëlidhjen triumfatore të fazës së dytë, që do të jetë e aftë pa hezitim që të kapë Superioren. Këtë besim e mbështes, pasi jam në tratativa me futbollistë tepër cilësorë, të cilët po bëjnë diferencën në skuadrat e tyre ku po luajnë aktualisht. Ndërsa, për lojtarët e organikës aktuale, kush nuk vlen, pra që nuk më bind, nuk do të jetë më pjesë e Besëlidhjes”, – ka përfunduar presidenti Noka.

Stërvitja - Lezhjanët vijojnë me intensitet përgatitjet në kuadër të sfidës së fundjavës, që do të zhvillojnë ndaj Dinamos. I gjithë stafi i skuadrës lezhjane, i kryesuar nga presidenti Gjok Noka, është i përkushtuar maksimalisht në krijimin e kushteve optimale për stërvitjen e skuadrës që drejtojnë për të marrë pikë në fundjavë në Tiranë, pse jo dhe fitoren e parë në transfertë për këtë sezon. (Panorama Sport)
   
Back To Top