Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Partizanin e kemi “hasëm” në fushë, e mik jashtë saj

Presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, apelon për një gjykim korrekt ndaj të kuqve, në të kundërt do ta kenë punën keq me ekipin dhe popullin e Lezhës. Besëlidhja nuk ka kohë për të humbur dhe e ndodhet në vendin e 11-të me 14-të pikë kërkon të ngjitet akoma më lart. Këtë javë lezhjanët presin Partizanin dhe janë të  bindur se do të kthehen te fitorja. Një gjë të tillë e pohon për vetë presidenti i Besëlidhjes Gjokë Noka. “Nuk diskutohet që këtë javë Besëlidhja do të fitojë. Partizanit të lavdishëm dhe të frikshëm dikur, tani i ka mbetur vetëm emri.

Nuk më intereson se si i ka fituar takimet kjo skuadër në javët e kaluara, por di të them vetëm kaq se kësaj radhe as të mos i mendojë pikët në Lezhë. Do t’i pres si miq dhe do t’i përcjell si të tillë, ndërsa në fushën e futbollit do të jem “hasëm” me ta në kuadrin e 90 minutave. Nuk i trembemi aspak këtij ekipi dhe kam bindje se Besëlidhja do të fitojë përballjen”, – ka thënë në fillim të prononcimit të tij për “Sporti Shqiptar”, numri një i klubit lezhjan.

Arbitrimet Presidenti Noka shprehet tepër i revoltuar me gjykimet, që sipas tij, e kanë ndëshkuar padrejtësisht Besëlidhjen në këtë fazë të parë. Prandaj ai paralajmëron gjyqtarët që në Lezhë këtë javë  të bëjnë kujdes dhe të mos vijnë me mendje për të favorizuar Partizanin, se mund të kenë pasoja. “Gjykimet skandaloze po na shkatërrojnë ne nga ana financiare, por edhe futbollin. Kështu siç veprojnë gjyqtarët javë për javë na detyrojnë që ndonjë ditë të bëjmë ndonjë skandal dhe më pas të heqim dorë nga futbolli dhe të mos merremi më me të.

Besëlidhja është “masakruar” gjatë kësaj faze, ku më e freskëta ndodhi me Dinamon. Ata (gjyqtarët) bëjnë çfarë të duan në fushën e lojës pa pyetur aspak për rregullore, drejtues dhe lojtarë që protestojmë. Ne dënohemi dhe e kundërta ndodhë me gjyqtarët. Megjithatë, kësaj radhe kam një mesazh për gjyqtarët që do të marrin përsipër të arbitrojnë takimin Besëlidhja-Partizani. Ata duhet të vijnë me mend në kokë dhe të mos mendojnë të favorizojnë kundërshtarin, se në të kundërt do ta kenë punën keq me ne dhe popullin e Lezhës. Nuk duam asgjë tjetër, veç gjykim të drejtë. Pastaj për çdo gjë tjetër do ta tregojë fusha e lojës”, – ka përfunduar prononcimin e tij, presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka. (Sporti Shqiptar)
   
Back To Top