Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka akuzon FSHF-në dhe kërcënon me largim nëse nuk merren masa!

Besëlidhja pësoi të shtunën një humbje minimale 1-0 me Dinamon në stadiumin “Qemal Stafa”. Presidenti lezhjan, Gjok Noka, është i revoltuar nga gjykimi, për çka akuzon FSHF-në. “Jam i kënaqur me lojën e skuadrës, por ‘sëmundja e gjykimit’, së cilës nuk po i gjendet ilaçi, po e fundos Besëlidhjen në veçanti dhe futbollin shqiptar në përgjithësi. Edhe pse pësuam gol në 10- minutëshin e fundit, përsëri futbollistët e kërkuan me ngulm barazimin dhe ia arritën qëllimit duke shënuar në portën dinamovite. Por gjyqtari anësor na anuloi një gol të rregullt, me pretendimin se ishte pozicion jashtë loje. Ndërkohë që kryesori e drejtoi dorën te qendra e fushës për të rivënë topin në lojë. Edhe më amatori do ta pranonte të mirëqenë këtë gol, pasi mbrojtësi dinamovit ishte ngjitur me shtyllën pingule. Duke u nisur nga këto rrethana, do t’i drejtoj FSHF-së dhe kreut të saj, Armand Duka, një apel-protestë.

Ndeshjet dhe skuadrat të mos paragjykohen sipas dëshirave apo interesave të njërit apo tjetrit, por rezultatin ta prodhojë fusha dhe jo bilbili apo flamuri i gjyqtarëve që caktohen pikërisht nga kjo federatë. Deri tani kemi parë që vetëm futbollistë, trajnerë, presidentë dhe fusha të dënohen, madje edhe rëndë, por ende nuk kemi parë që të ketë masa ndëshkimore për gjyqtarë që gabojnë rëndë”, – flet jo pak i revoltuar presidenti Noka. Kreu i klubit lezhjan vazhdon më tej, duke kërcënuar me masa ekstreme: “Duke u nisur nga këto rrethana, do të detyrohemi që të heqim dorë nga sponsorizimi i sportit më popullor në Shqipëri, që është futbolli. Nuk ka pse të na nëpërkëmbet mundi i futbollistëve dhe paratë tona, me një të ngritur flamuri apo me një fishkëllim bilbili. Kjo përbën skandal. Në vend që të ketë përmirësim dhe reflektim, po ndodh e kundërta. Do të ndjek se çfarë reagimi do të ketë pas këtij prononcimi publik. Nëse nuk do të ketë reagime pozitive brenda kornizës së rregullores dhe ligjeve në fuqi, do të detyrohemi që kundër vullnetit tonë të ndërmarrim vendime ekstreme”, – përfundon Noka. (Panorama Sport)
    
Back To Top