Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja në kërkim të një trajneri për fazën e dytë

Pas debateve të shumta që përfshinë skuadrën e Besëlidhjes për “gardianin” Dashamir Xhika, i cili kërkonte të largohej në drejtim të Partizanit, porse sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë nuk do të ndodhë, në kampin lezhjan ka nisur një tjetër debat. Bëhet fjalë për emrin e trajnerit që do të jetë në krye të stolit të Besëlidhjes gjatë pjesës së dytë të kampionatit. Nevoja për të pasur një trajner është akute, duke qenë se ai do të jetë përgjegjës edhe për zhvillimin e merkatos që, sipas presidentit Gjok Noka, do të jetë mjaft cilësore. Këtë vit futbollistik, ndryshe nga ata të mëparshmit, te Besëlidhja trajnerët janë ndërruar. Sokol Meta në fillim e mori me shumë bujë drejtimin e skuadrës, por zgjati vetëm katër javë në krye të tij. Ndeshja e tij e fundit te Besëlidhja do të ishte ajo ndaj Mamurrasit në shtëpi, e cila përfundoi në shifrat 1-1. Pas largimit të Metës, vendin e tij do ta zinte Ledion Zenuni, një ish-futbollist lezhjan, i cili ka qenë më parë ndihmësi i Ritvan Kullit, por edhe i Sokol Metës. Lezhjanët kanë qenë nën drejtimin e Zenunit deri në fund të fazës së parë. Vetë presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, aktualisht mësohet të ketë nisur bisedimet me disa trajnerë, të cilët mund të jenë në krye të skuadrës. Mirëpo, numri një i lezhjanëve nuk jep asnjë emër konkret, duke i lënë të gjitha mundësitë të hapura. Ajo çka Noka ka deklaruar deri më tani është se skuadra e tij do të ketë një reformim tërësor, duke nisur nga stoli dhe më pas në të gjitha repartet, çka do të sjellë një skuadër më të fortë për fazën e dytë. (Panorama Sport)
   
Back To Top