Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja pushim deri në janar, priten prurje nga jashtë

Nuk e ka mbyllur mirë fazën e parë ekipi i Besëlidhjes, i cili renditet mes katër ekipeve të fundit të tabelës së klasifikimit. E ka nisur sezonin si skuadër pretendente, por gjërat nuk kanë shkuar siç duhet rrugës duke u larguar përfundimisht nga pretendimet për t’u ngjitur në Superligë. Gjatë fazës së parë u ndërrua edhe trajneri. Fazën përgatitore te lezhjanët e ka drejtuar Sokol Meta, i cili në katër javët e para ishte në krye të Besëlidhjes, por u largua për mungesë rezultatesh. Drejtimin e mori një teknik vendas, Ledion Zenuni, që me gjithë përpjekjet e tij dhe të futbollistëve nuk arritën të përmirësonin gjendjen. Presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, i qëndroi pranë ekipet në të gjitha drejtimet, me shpresën se situata do të vinte në përmirësim e sipër, por nuk ndodhi kështu.

Përveç mëkateve, që mund të ketë vetë si skuadër, Besëlidhja gjatë fazës së parë, në jo pak raste, është ndëshkuar apo dënuar në mënyrë të padrejtë edhe nga gjyqtarët. Për protestat ndaj tyre në javën e parafundit u dënua edhe presidenti Noka me 18 muaj për të mos ndjekur ekipin. Megjithatë, ai nuk dorëzohet.

Merkatoja Pavarësisht situatës jo të mirë të Besëlidhjes, presidenti Gjokë Noka mësohet se ka në projektet e tij për ta ringritur skuadrën lezhjane në nivele të larta në fazën e dytë. Mësohet se pas 7 janarit, kur edhe do të mbarojnë pushimet për futbollistët e Besëlidhjes, në radhët e saj do të ketë prurje të shumta nga jashtë.

Mendohet se do të jenë 5-6 futbollistë në role të ndryshme, por që të bëjnë diferencën. Deri tani nuk ka asnjë emër konkret, por po punohet në të gjitha frontet për të sjellë, sa të jetë e mundur, lojtarët e duhur. Çdo gjë mbetet për t’u parë se si do të shkojë merkatoja e Besëlidhjes, ku pista kryesore mendohet të jenë vendet e Ballkanit. (Sporti Shqiptat)
 
Back To Top