Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja vetëm me serbë në janar, asnjë tjetër në merkato

Presidenti i lezhjanëve Gjok Noka ka deklaruar se për momentin pret vetëm ardhjen e gjashtë futbollistëve serb me 12 janar dhe deri tani nuk ka në planet e tij asnjë lojtar tjetër. Ndryshe nga skuadrat e tjera të kategorisë së parë, Besëlidhja po bën pushimet më të gjata. Ajo do të rikthehet në fushë me 7 janar dhe në krye të lezhjanëve tashmë është emëruar lushnjari Sajmir Malko. Për presidentin e këtij ekipi Gjok Noka gjetja dhe emërimi i teknikut të ri ishte detyra apo misioni i parë që duhet të përmbushte në këtë kohë dhe ia arriti. Tani e gjithë vëmendja përqendrohet te merkatoja e janarit. Ai ka premtuar se Besëlidhja do të përforcohet me lojtarë cilësorë, duke ruajtur kontingjentin aktual.

Madje, kohë më parë, në një prej prononcimeve të tij për gazetën “Sporti Shqiptar”, deklaroi se pret ardhjen e gjashtë futbollistëve serb më 12 janar, duke e mbyllur me kaq merkaton për Besëlidhjen. Presidenti Noka asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, duke i qëndruar idesë dhe projektit të tij të mëparshëm. “Nuk kam ndryshuar asgjë në projektet e mia për merkaton. Pres ardhjen e 6-të futbollistëve serb, siç e kam deklaruar dhe më parë dhe këtu them se do ta mbyll merkaton e janarit.

Vështirë se mund t’i heq sytë nga kampionati shqiptar, vetëm e vetëm nëse në moment të fundit mund të gjej ndonjë lojtar që është edhe djalë i mirë dhe me karakter. Kështu që deri tani nuk ka asnjë emër tjetër në treg. Nuk besoj se do të lëvizë asgjë deri në fund”,- ka pohuar dje, presidenti i Besëlidhjes Gjok Noka për “Sporti Shqiptar” në lidhje me lëvizjet e lezhjanëve deri tani në tregun dimëror të futbollistëve.
 

Back To Top