Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Ironia e Nokës: Xhikën e lë të lirë për Adën ose… Milanin

Ndryshe nga shumë skuadra të Kategorisë së Parë, Besëlidhja ka më shumë nevojë për rinovime, pasi rezultatet e fazës së parë kanë qenë shumë zhgënjyese. Kështu lezhjanët, edhe pse ishin një nga ekipet kryesore për t’u ngjitur në Superiore, nuk arritën të ishin në vendet kryesuese në tabelën e renditjes, përkundrazi, u renditën në fundin e saj dhe tashmë rrezikojnë që të rrëzohen nga kategoria. Por një gjë e tillë, sipas presidentit Gjok Noka, është e pamundur, pasi ky i fundit ka premtuar se në ekipin që ai drejton do të ketë ndryshime rrënjësore, duke filluar që nga pankina. Ndërkohë, numri një i Besëlidhjes ka reaguar edhe për portierin Dashamir Xhika, i cili po kërkohet me ngulm nga skuadra e Partizanit.

Deklarata - “Tashmë është bërë e qartë nga ana ime se Besëlidhja e fazës së dytë do të jetë shumë më e fortë dhe e organizuar se ajo e pjesës së parë të kampionatit. Rinovimi do të fillojë që nga trajneri, porta e deri tek i fundit i stolit, kjo as që diskutohet. Si çdo punë, edhe futbolli matet me rezultatet përfundimtare, ndaj edhe unë jam i detyruar që ta ndërmarr këtë reformë të thellë, por të dobishme, edhe pse me risk të lartë financiare”, – ka thënë Gjoka. Më pas presidenti sqaron edhe çështjen e portierit, duke bërë edhe ironi. “Për sa i përket portierit Xhika, i cili ka edhe gati tre vjet kontratë me klubin, unë atë e lë të lirë vetëm nëse e duan skuadrat e Superiores, gjithmonë në rast se nuk më rezulton i suksesshëm transferimi i tij drejt Milanit. Ndërsa, për Kategorinë e Parë do t’i japë leje vetëm në rast se ai shkon tek Ada e Velipojës. Personalisht e kam shumë mik kryetarin e Komunës së Velipojë, zotin Pashk Ujka, dhe ai më ka kërkuar shërbimet e futbollistit. E theksoj edhe një herë se, në qoftë se nuk e merr Superiorja, apo Milani, Xhika do të ruajë portën e Adës për fazën e dytë, pasi vetëm aty do të jetë i lirë të shkojë”, – ka përfunduar Noka. (Panorma Sport)
    

Back To Top