Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 15: Iliria - Besëlidhja 3:1. Gjithmonë e më poshtë në rënditje

Iliria ka arritur një fitore të rëndësishme në shtëpi kundër Besëlidhjes me rezultatin 3-1. Ndeshja ka nisur me një minutë heshtje, në kujtim të ndarjes nga jeta një ditë më parë të ish-sekretarit të klubit lezhjan ndër vite, Nikoll Vocaj. Takimi nisi mjaft mirë për miqtë, të cilët kanë gjetur rrugën e golit me anë të Danajt që në minutën e 10-të. Sulmuesi i Besëlidhjes ka përfituar nga një gabim i mbrojtjes vendase dhe i vetëm në zonë ka dribluar portierin, duke mos e pasur të vështirë për të shënuar me portën e boshatisur. Goli i pësuar i ka “zgjuar nga gjumi” fushë-krujasit, të cilët kundërpërgjigjen 5 minuta më vonë me anë të Lushës, i cili shfrytëzon mjaft mirë një krosim nga e majta dhe shënon me kokë.

Entuziazmi është i lartë në shkallët e stadiumit dhe sportdashësit nxisin futbollistët e Ilirisë për të shënuar sërish. Tashmë loja zhvillohet vetëm në gjysmëfushën e Besëlidhjes dhe presioni i vendasve shtohet ndjeshëm. Minuta e 27-të dhe Bardhi kroson mirë në zonë për Docin, i cili nuk gabon duke shënuar edhe golin e avantazhit për Ilirinë, që tashmë ka marrë frenat e lojës në dorë. Me rezultatin 2-1 për vendasit mbyllet pjesa e parë e sfidës, ndërsa në të dytën janë përsëri fushë-krujasit që kërkojnë të sigurojnë fitoren. Ivanaj pengohet në zonë dhe për gjyqtarin kryesor është 11-metërsh. Gjokeja ekzekuton nga pika e bardhë, por gjuajtja e tij grushtohet nga portieri i Besëlidhjes, megjithatë nuk gabon Brata, që vetëm pak metra nga porta gjen topin në këmbët e tij dhe e përcjell atë në rrjetën e miqve. 3-1 për Ilirinë dhe takimi nuk ka më histori.

Fitorja është vulosur tashmë nga ana e të besuarve të trajnerit Sala, të cilët mendojnë për goleadë. Mundësinë më të mirë për ta bërë këtë e kishte Baku, por topi i goditur prej tij përplaset në traversë. Në minutat e fundit, Besëlidhja kishte mundësinë për të shkurtuar disavantazhin, kur në favor të lezhjanëve akordohet një 11-metërsh. Ekzekutimin e merr përsipër portieri Gjika, i cili nuk tregohet i saktë përballë “gardianit” të Ilirisë, që nuk lejon prekjen e rrjetës së tij për herë të dytë në këtë takim. Me këtë mundësi të lezhjanëve përfundon e gjithë sfida dhe tri pikët shkojnë në llogari të Ilirisë, që rikthehet te fitorja në kampionat pas disa rezultateve zhgënjyese. (Sporti Shqiptar)

ILIRIA – BESËLIDHJA  3-1
Shënues: Lusha 15’, Doci  27’, Brata 49’/  Danaj 10’
Iliria: R. Baku, K. Baku, Papleka, Lusha, Kurti, Caca, Bardhi (Vathi 76’), S. Gjokeja, Doci, Ivanaj ( Hima 80’), Brata Trajner: F. Sala
Besëlidhja: Gjika, Kepi, K. Dibra, Shuti (Lleshi 46’), Gruda, Nikollaj (Mhillaj75’), Haxhiu, Pepaj, A. Dibra, Danaj, Malasi Trajner: G. Lani
Gjyqtarë: B. Breshanaj, E. Dodaj, D. Myftari ( Tiranë)
Kartonë të verdhë: Lusha, Gjokeja ( 2), Bardhi, Brata/ Gruda,
Karton i kuq: Gjokeja
 
Back To Top