Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Malko tregon objektivat: Lushnjën e mund në start

Edhe pse ka vetëm pak ditë që është në krye të Besëlidhjes, trajneri Sajmir Malko është optimist për të ardhmen e kësaj skuadre me traditë në futbollin shqiptar. Gjatë një interviste për “Panorama Sport” trajneri ka folur për përshtypjet e para te lezhjanët, marrëdhënien me presidentin Noka, si dhe për merkaton që pritet të zhvillojë.

Si e pritet ftesën e bërë nga presidenti Noka për të qenë në krye të Besëlidhjes?

Personalisht kam pasur gjithmonë një simpati për ekipin lezhjan, edhe në kohën kur kam qenë futbollist, por edhe gjatë kohës që kam drejtuar disa skuadra të Kategorisë së Parë. Për këtë arsye e mirëprita këtë ftesë, pavarësisht faktit se, për ta rikthyer Besëlidhjen në nivelet e saj më të mira, duhet shumë punë. Nuk mund të them se do të arrijmë Superioren, pasi kjo është një deklaratë euforike, duke qenë se pozicioni dhe pikët e grumbulluara nuk na japin shumë mundësi, por do të provojmë gjithçka.

Mund të na thoni diçka në lidhje me marrëdhënien tuaj me presidentin Noka. E njihnit më parë?

E kam njohur personalisht një sezon më parë, kur drejtoja Lushnjën, dhe jemi mundur nga Besëlidhja në Lezhë. Mendoj se është një njeri energjik, punëtor dhe mbi të gjitha korrekt. Ka arritur ta mbajë Besëlidhjen për dy vite rresht në nivele të larta, ndërsa në ndeshjen e “play off”-it nuk arriti ta ngjiste atë në Superiore. Kjo nuk është pak, ndërsa pozita aktuale e skuadrës vjen edhe si pasojë e një konsumimi. Megjithatë, jam i bindur se më mbështetjen e pakursyer të tij dhe me punë do të ngjitemi shpejt në renditje.

Cila do të jetë blerja e re e Besëlidhjes?

Deri tani kam qenë në Lezhë vetëm për nënshkrimin e kontratës, të tjerat do të vijnë pas datës 7 janar, kur do të prezantohem zyrtarisht para skuadrës. Pasi t’i studioj prurjet që ka në plan presidenti Gjok Noka dhe futbollistët aktualë, atëherë mundet që të kem ndonjë sugjerim.

Provën e parë do ta keni ndaj Lushnjës. Një koment?

Për mua është fat që do ta nis provën te Besëlidhja ndaj ish-skuadrës, tek e cila kam luajtur dhe që e kam drejtuar. Megjithatë, Besëlidhja është një skuadër me traditë dhe në shtëpi nuk mposhtet lehtë. Fitorja ndaj Lushnjës në start do të sjellë edhe ngjitjen tonë. (Panorama Sport)
 
Back To Top