Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Merkato: Aleksandër Miliç mund të rikthehet sërish në Lezhë

Ish-qendërsulmuesi i skuadrës së Besëlidhjes, Aleksandër Miliç, i cili luajti në formë huazimi fazën e parë të kampionatit te Luftëtari në Kategorinë Superiore, duket se ka dëshirë që të rikthehet sërish në Lezhë. “Aktualisht kam një ofertë për të kaluar në Superligën çeke, por nuk e di se si do të më shkojnë bisedimet në rrafshin ekonomik. Kam oferta edhe nga skuadra të Ligës së Parë dhe të Dytë serbe, apo në kampionate të tjera jashtë Shqipërisë. Megjithatë, kam ende kohë për të menduar për karrierën time të ardhshme në futboll. Dëshira ime është që të angazhohem me skuadra elitare, pasi kam edhe kulmin e moshës për të spikatur me formën, duke qenë se jam 24 vjeç. Besëlidhja për mua mbetet skuadra që deri tani më ka mbetur në zemër. Nëse Besëlidhja do të ketë akses pozitiv për fazën e dytë dhe do të jetë në Superiore, sezonin e ardhshëm unë do t’i bashkohem menjëherë asaj, pavarësisht se ku do të jem duke luajtur. Gjithashtu në rast se të gjitha klubet me të cilat aktualisht jam në bisedime nuk do të jenë të gatshme të plotësojnë kushtet e mia dhe do të më duhet të zgjedh një ekip në Kategorinë e Parë, atëherë të jeni të bindur se do të rikthehem”, ka përfunduar Aleksandër Miliç. (Panorama Sport)
    
Back To Top