Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Rezultatet fiksohen, do të bëj vetëgjyqësi

Të shtunën, Besëlidh a pësoi humbjen e parë në shtëpi pas gati dy sezonesh. Skuadra lezhjane u mund 2-1 nga Partizani. Presidenti lezhjan, Gjok Noka, fajëson plotësisht gjyqtarët për këtë humbje dhe akuzon rëndë FSHF-në. Në reagimin e tij, Noka thotë: “Nuk është hera e parë që Besëlidhja ndëshkohet rëndë përballë skuadrave me emër, por që nuk e kanë nivelin e saj. Është e qartë që kjo bëhet me qëllim nga FSHF-ja dhe presidenti i saj, Armando Duka, për të fundosur Besëlidhjen dhe për të ngritur skuadra që i binden nga të gjitha pikëpamjet, përfshi edhe ryshfetin. Edhe javën e kaluar e kam ngritur këtë shqetësim në mediat sportive, mirëpo jo vetëm që nuk është dëgjuar zëri ynë, por përkundrazi është thelluar edhe më skandali duke na caktuar si gjyqtarë në takimin me Partizanin arbitra tiranas, e për më tepër tifozë të Partizanit.

Skandali i dytë që nuk u ndëshkua në ndeshjen e së shtunës ishte dhe ndërrimi i vendeve të presidentit me të trajnerit. Kur trajneri Çoçlli doli nga pankina me karton të kuq dhe u detyrua që ta ndiqte ndeshjen nga tribuna, që aty zbriti presidenti Lulëzim Sallaku dhe e drejtoi takimin nga pankina. Edhe unë jam zyrtarisht president i Besëlidhjes, por kurrë nuk jam ulur në pankinë, por e kam ndjekur ndeshjen nga tribuna. Kjo është jashtë çdo lloj rregulloreje sporti. Ne po sponsorizojmë kot, po i hedhim paratë tona në erë, pasi shumica e ndeshjeve paragjykohen dhe u paracaktohet fitorja ose humbja. E pra, futbolli ynë po luhet në letra dhe jo në fushë. Në fushë veç po lodhemi kot, kjo tashmë e ka dhënë impaktin e vet negativ, pasi futbolli shqiptar është bojkotuar nga tifozeria dhe stadiumet janë boshatisur. Me padrejtësitë që po i bëhen Besëlidhjes dhe me mosndëshkueshmërinë, po na detyrojnë që të veprojmë kundër vullnetit dhe natyrës sonë. Po detyrohemi që t’i futemi rrugës skandaloze të vetëgjyqësisë, rrugë që ka veç të humbur dhe që rëndon tërësisht mbi FSHF-në dhe drejtuesit e saj”, – përfundon Noka deklaratën e tij.

Zenuni: Gjyqtarët prishën ndeshjen
Në lidhje me sfidën e së shtunës është prononcuar edhe trajneri i Besëlidhjes, Ledion Zenuni. “Përballë Partizanit skuadra u paraqit mjaft mirë dhe patëm shumë raste shënimi, mirëpo terreni i rënduar nga shiu e bëri punën e vet. Ndonëse duhet thënë se vlerat ndeshjes më shumë ia prishi gjykimi. Goli i parë që pësuam ishte i dyshimtë, pasi topi ishte prekur me dorë, gjë që shihej mjaft qartë. Kjo ndikoi dyfish në disfavorin tonë negativisht, përveçse në rezultat, edhe nga ana psikologjike. Shumica e sulmeve tona kur kalonim në epërsi shuheshin pa hyrë në zonë nga flamuri i anësorit, jashtë çdo rregulloreje futbolli”. (Panorama Sport)
    
Back To Top