Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Reagon Noka: Mafiozi dhe hajduti Duka trukon futbollin shqiptar

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, reagon në lidhje me dënimin që i është dhënë nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me 18 muaj pezullim nga aktivitetet dhe 2 milionë e gjysmë lekë të vjetër gjobë. Kreu i klubit, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, lëshon akuza të rënda ndaj presidentit të FSHFsë, Armand Duka. Sapo është njohur me vendimin, Noka shpërthen në akuza të shumta. “Lojtari i Partizanit e bën golin me dorë dhe arbitri e konsideron të rregullt. Kjo është e papranueshme. Kujt i kam bërë dhunë?! Unë kam protestuar, por nuk kam dhunuar askënd. Cili arbitër deklaron që e kam goditur?! Të dalë dhe ta deklarojë. Çfarë të presim ne, harxhojmë paratë dhe arbitrat vijnë dhe marrin ndeshjet. Këta hajdutë që ka futur Duka”, shprehet Noka.

Trukimet - Presidenti i Besëlidhjes vazhdon më tej, duke akuzuar presidentin e FSHF-së në lidhje me trukimin e ndeshjeve. “Të gjitha këto ndeshje që kanë dalë të trukuara, 97 takime, vijnë nga Duka dhe nga arbitrat e Dukës. Caktohen rezultatet pa u zhvilluar ndeshja. Ne paguajmë paratë kot dhe luan Duka si të dojë bashkë me arbitrat e tij”, flet jo pak i revoltuar Noka. Presidenti vazhdon më tej: “Dua prova dhe fakte se ku i kam dhunuar unë arbitrat. Të dalin gjyqtarët dhe të thonë se kë kam goditur unë. Apo ata bëjnë sipas urdhrave, si në kohën e Enver Hoxhës. Ai është një diktator. Nuk e kam frikë Dukën unë. Ai mafioz dhe hajdut, që i vë të gjitha ndeshjet. Takimet luhen në tavolinë dhe me arbitra. Ai vendos që kaq do dalë Lezha, kaq Superiorja. Ai i bën të gjitha trukimet në Shqipëri. Unë nuk e kam shok Nexhat Bizhdilin, por ai foli një ditë dhe i jap të drejtë. I dënon skuadrat dhe më pas ato paguajnë 5 milionë lekë për të luajtur në fushën e tyre. Bëhen trukimet haptazi. Është një kokërr hajduti, një kokërr komunisti”, thotë Noka.

Ankimimi - I pyetur nëse do të bëjë ankimim në lidhje me dënimin, presidenti përgjigjet: “Ku ta bëj ankimimin? Tek Armando Duka, te një hajdut. Sa të jetë Duka në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk ka futboll shqiptar. Edhe trukimet që dalin nëpër gazeta, i bën Duka i pari, bashkë me arbitrat”, përfundon reagimin e tij presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka. Kreu i klubit lezhjan u dënua nga Komisioni i Disiplinës për veprimet e tij ndaj zyrtarëve të ndeshjes pas sfidës Besëlidhja- Partizani, që u zhvillua të shtunën e kaluar. (Panorama Sport)
 
Back To Top