Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

15 pikë dhe vendi i 15-të, Besëlidhja jashtë objektivave!

Në dy javët e para të kampionatit Besëlidhja nuk arriti të merrte më shumë se një pikë, pasi barazoi ndaj Lushnjës dhe humbi në transfertë me Pogradecin. Pas 17 takimeve të luajtura deri më tani, lezhjanët kanë arritur të grumbullojnë vetëm 15 pikë, duke u renditur kështu në vendin e 15-të, pra të parafundit. Kjo do të thotë se lezhjanët rrezikojnë që sezonin e ardhshëm të jenë në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, mbijetesa është një temë që nuk diskutohet te skuadra e drejtuar nga trajneri Malko, duke qenë se ndërhyrjet në merkato kanë qenë mjaft cilësore dhe ndeshjet në vijim pritet të flasin vetëm për Besëlidhjen.

Presidenti Gjok Noka gjatë merkatos së janarit ishte një ndër më aktivët, duke afruar në skuadër disa futbollistë serbë mjaft cilësorë, të cilët e kanë rritur ndjeshëm nivelin e lojës. Pavarësisht faktit se këtë sezon futbollistik lezhjanët shiheshin si një nga ekipet kryesore për t’u ngjitur në Superiore, ky objektiv tashmë është spostuar për t’u realizuar sezonin e ardhshëm, pasi tani synohet mesi i artë i tabelës së renditjes. Ndeshja – Këtë fundjavë lezhjanët do të kenë një tjetër takim të vështirë, pasi do të luajnë ndaj Adës së Velipojës, e cila gjithashtu ka si objektiv kryesor të sajën mbijetesën. Velipojakët e drejtuar nga lezhjani Ritvan Kulli, i cili e njeh mjaft mirë Besëlidhjen, do të kërkojnë me çdo kusht pikë në këtë përballje. Megjithatë, në kampin lezhjan janë duke u stërvitur me seriozitet të lart, ndërsa fitorja është synimi i tyre i vetëm në këtë sfidë. Ndërkohë që tifozët vendës janë duke u organizuar për ta mbështetur ekipin në këtë sfidë, e cila është mjaft e rëndësishme për të ardhmen. Trajneri Sajmir Malko nga ana e tij nuk pritet të bëjë shumë ndryshime në formacion nga takimi i fundit me Pogradecin, pasi ekipi bëri një paraqitje të mirë. (Panorama Sport)
   
Back To Top