Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Amnisti për Nokën, FSHF i ul dënimin presidentit lezhjan

Presidentit të Besëlidhjes, Gjok Noka, i cili u dënua me 18 muaj pezullim nga KD më 5 dhjetor, i është ulur dënimi në dhjetë ndeshje. “Presidenti Gjok Noka për sjellje jo sportive dënohet me dhjetë ndeshje”, thuhet në vendimin e Komisionit të Apelit. Tani që edhe tri ditë na ndajnë nga starti i fazës së dytë, ku Besëlidhja pret Lushnjën në fushën e vet, skuadra lezhjane ka rritur dozat e përgatitjeve. Në sfidën e fazës së parë, verdhejeshilët kanë fituar 1-0. Megjithatë, lezhjanët kanë ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Në krye të pankinës është Sajmir Malko dhe pjesë e grupit janë gjashtë serbë, mbi të cilët do të mbështetet skuadra e fazës së dytë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, tekniku Malko shprehet optimist për skuadrën që po stërvit, por tregohet tepër i kujdesshëm në deklaratat e tij kundrejt Lushnjës. “Është mbushur një muaj që kur është grumbulluar Besëlidhja nën drejtimin tim. Ky muaj ka qenë intensiv në seancat stërvitore për të parë nga afër edhe profesionalisht të gjithë futbollistët pa përjashtim, si ata që kanë mbyllur fazën e parë, edhe ata të ardhurit nga merkatoja dimërore. Menjëherë pas kompletimit të skuadrës me lojtarët e piketuar nisëm stërvitjen me ngarkesë të plotë, si dhe luajtëm disa miqësore që për mua ishin tepër të suksesshme. Tashmë që pak ditë na ndajnë nga starti i kampionatit, ku presim në shtëpi Lushnjën kryesuese, edhe stërvitja është zhvilluar në funksion të këtij takimi. Ata janë një ekip i suksesshëm dhe që kanë ditur ta menaxhojnë mjaft mirë kapacitetin e tyre. Jo më kot janë në krye të tabelës dhe për më tepër me një diferencë të madhe me vendin e dytë. Besëlidhja e fazës së dytë ka ndryshuar shumë nga ajo e fazës së parë. Megjithatë, përballë Lushnjës duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm dhe profesionistë”, – ka thënë Malko. Në verën e vitit të kaluar, trajneri u largua nga drejtimi i Lushnjës pa asnjë shkak dhe vendin e tij e zuri Artan Bano.
 
Back To Top