Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Dashuria vazhdon, Xhika: Ja lidhja ime me Besëlidhjen

Besëlidhja vijon për gatitjet për ndeshjen e radhës që do të luajë në transfertën e vështirë të Pogradecit. Një sfidë shumë e vështirë për lezhjanët, pasi pogradecarët janë ndër ekipet pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Gjithashtu, transfertat për Besëlidhjen kanë qenë gjithmonë problem. Megjithatë, skuadra ka ndryshuar shumë në krahasim me fazën e parë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri i Besëlidhjes, Dashamir Xhika, komenton ndeshjen me Lushnjën dhe flet për mundësitë që ka skuadra e tij për të qëndruar në Kategorinë e Parë. “Gjatë gjithë fazës përgatitore, nën drejtimin e trajnerit Sajmir Malko arritëm që të marrim ngarkesën e nevojshme si fizike, ashtu edhe teknike. Gjithashtu, arritëm të integroheshim totalisht edhe me futbollistët e ardhur nga merkatoja dimërore. Për sa i përket sfidës së të shtunës me Lushnjën, Besëlidhja luajti shumë mirë. Repartet funksionuan perfekt, duke i koordinuar veprimet. Skema e ndërtuar nga trajneri Malko funksionoi, pavarësisht rezultatit. E gjithë sfida u zhvillua në një terren tepër të rënduar dhe për më tepër nuk na u ndanë reshjet e dendura të shiut gjatë gjithë lojës”, – shprehet gardiani i lezhjanëve. Xhika vazhdon më tej analizën e tij: “Pjesa e parë u kontrollua totalisht nga ne, aq sa unë isha veçse një spektator që rrija afër rrethit të mesit të fushës. Pas përfundimit të ndeshjes jam detyruar të bëj stërvitje për t’u nxehur, pasi kisha shumë ftohtë”. Portieri flet edhe për të ardhmen: “Me Besëlidhjen e ndiej veten mjaft mirë, ndaj po m’u kërkua edhe një kontratë tjetër pas mbarimit të kësaj që kam, jam i gatshëm ta nënshkruaj edhe për tre vjet, vetëm nëse president është Gjok Noka”. Pavarësisht kësaj portieri dëshironte të largohej në janar, pasi kishte ofertë nga Partizani, por ishte pikërisht presidenti lezhjan që nuk e lejoi. (Panorama Sport)
 
Back To Top