Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 16: Besëlidhja - Lushnja 0:0. Në Lezhë fiton balta!

Lushnja është ndalur në një barazim pa gola në transfertën e Lezhës ndaj Besëlidhjes vendëse. Sfida është luajtur në një terren shumë të vështirë dhe nuk i ka lejuar ekipet që të dalin në lojën e tyre. Me gjithë rastet e krijuara dhe gjuajtjet e shpeshta drejt portave respektive, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Loja ka nisur mjaft bukur. Që në fillim është kontrolluar nga vendësit, pa përjashtuar ndonjë kundërsulm sporadik të miqve. Në të 5-ën, lezhjanët i afrohen portës me anë të kapitenit Aleksandër Miliç, mirëpo portieri mik Spaho e zgjidh mirë situatën. Në minutën e 9-të, lezhjanët fitojnë një goditje dënimi që ekzekutohet mjeshtërisht nga Kaçi, por nuk arrin të shënojë. Besëlidhja ushtron presion të vazhdueshëm në gjysmëfushën lushnjare. Në të 18-ën, Miliç ekzekuton një goditje dënimi nga jashtë zonës dhe topi grushtohet nga Spaho, por Dibra fare pranë aksionit nuk përfiton siç duhet. Në minutën e 44-t, Aritonoviç ndërmerr një sulm individual nga e djathta, futet diagonalisht në zonën lushnjare, por mbrojtja mike e neutralizon këtë sulm të rrezikshëm.

Fraksioni i parë i lojës u kontrollua totalisht nga vendësit, aq sa portieri Xhika ka kapur vetëm një top dhe fanella e tij është krejtësisht e pastër, me gjithë terrenin shumë të rënduar. Nuk iu desh për asnjë moment që të shtrihej në tokë. Fraksioni i dytë nis i shpejtë me miqtë në aksion, por gjuajtja e Cankës nga jashtë zonës pritet lehtësisht nga Xhika. Katër minuta më pas kapiteni mik Çela provon të gjuajë nga larg, mirëpo topi shkon shumë metra jashtë kuadratit. Pas minutës së 55-të, frenat e lojës kalojnë përsëri në duart e Besëlidhjes, që organizon sulme të rrezikshme, por pa arritur të shënojë. Në të 71-ën dhe 75-ën, përsëri Besëlidhja i afrohet portës mike, por pa rezultat. Pas minutës së 83-të loja kalon plotësisht në gjysmëfushën lushnjare me aksione të rrezikshme, që nuk finalizohen siç duhet nga vendësit. Në një terren tepër të rënduar nga shirat, supersfida Besëlidhja-Lushnja, megjithëse prodhoi spektakël dhe emocion, u mbyll 0-0.


BESËLIDHJA-LUSHNJA 0-0
BESËLIDHJA: Xhika, K.Dibra, Kepi, Shytani, Jakovljeviç, Nedeljkoviç (Met’hasani 53′), Aritonoviç, Kaçi, A.Dibra, Mrdakoviç (Lleshi 56′), Miliç. Trajner: S.Malko
LUSHNJA: Spaho, Stojkoviç, E.Sula, Gjyla, Ndoni, Korreshi (Metushi 83′), Dervishi, Topi, R.Sula, Çela, Canka. Trajner: A.Bano
KARTONË TË VERDHË: A.Dibra 60′, Kepi 90+3′/ Topi 17′, R.Sula 39′, E.Sula 90′
KARTON I KUQ: Dervishi 90′
GJYQTARË: E.Peza, D.Myftari, E.Mirjolli (Tiranë)
 
Back To Top