Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 18: Besëlidhja - Ada. Vendos një gol i debutuesit Lleshi

Një gol i të riut Lleshi i ka mjaftuar Besëlidhjes për të marrë një trepikësh të artë dhe për t’iu larguar disi zonës së ftohtë në tabelën e klasifikimit. Lezhjanët, edhe pse në fushën e tyre, nuk kanë arritur të shënojnë shumë gola përballë një rivaleje direkt në garën për mbijetesë si Ada. Velipojakët e drejtuar nga lezhjani Ritvan Kulli kanë rezistuar mirë, por pa mundur të shfrytëzojnë ato pak raste që u janë dhënë për shënim.

Pjesa e parë - Minutat e para të takimit kanë folur për vendësit, të cilët janë superiorë në fushë dhe e kërkojnë golin me çdo kusht. Dibra, Kaçi e Miliç janë të papërmbajtshëm në zonën mike, ndonëse në fund nuk arrijnë t’i finalizojnë si duhet aksionet e tyre duke mos e çuar dot topin në rrjetë. Nga ana tjetër, miqtë velipojakë me mungesa në formacion nuk bëjnë as- gjë tjetër veçse mbrohen e përpiqen të shfrytëzojnë kundërsulmin, i cili nuk e ka fuqinë e duhur për të rrezikuar seriozisht portën e mbrojtur nga Xhika. Sulmet lezhjane ndalen vetëm nga faullet e miqve, ndërkohë që në një prej tyre vjen edhe goli. Kepi ekzekuton nga jashtë zone dhe brenda saj nuk fal debutuesi Lleshi, i cili gjuan saktë dhe arrin të kalojë skuadrën e tij në avantazh. Pas pësimit të golit, skuadra e Kullit hidhet në sulm, por e ka të vështirë të gjejë hapësira në mesfushë dhe më pas në mbrojtjen lezhjane, duke mos e shqetësuar kështu për asnjë moment gardianin vendës.

Pjesa e dytë - Fraksioni i dytë i lojës është edhe më spektakolar se i pari, pasi miqtë organizohen dhe e kërkojnë golin e barazimit për të dalë me të paktën një pikë nga fusha lezhjane. Gjithsesi, në fund rezultati nuk do të ndryshojë në asnjë moment dhe miqtë do të pajtohen me humbjen, duke u zhytur akoma më shumë në fundin e tabelës së klasifikimit. Ndërsa Besëlidhja tashmë sheh më lart në klasifikim. (Panorama Sport)

Besëlidhja - Ada 1:0 
Shënues: Lleshi 20′
Besëlidhja: Xhika, Kepi, Jakovljeviç, K. Dibra, Shytani, Aritonoviç, Nedeljkoviç (Pepaj 69′), Deliblaçanin (Malasi 85′), Lleshi (Gruda 46′), Kaçi, Miliç. Trajner: Saimir Malko.
Ada: Selimaj, Tolaj (Zefi 46′), E. Doçi, Drabeja (Dushkaj 46′), Hoti, Tafa, Jaçaj, Isufi, Lini, Erkoçeviç, Mujeci (Nika 60′). Trajner: Ritvan Kulli.
Gjyqtarë: A. Beqiri, D. Rexha, A. Shkreta (Tiranë).
Kartonë: Lleshi 42′, K. Dibra 45′ / Lini 60′, Nika 84′
 
Back To Top