Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Dorëhiqet Malko: Noka ndërhynte në formacion

Trajneri Sajmir Malko jep dorëheqjen nga Besëlidhja. Tekniku vendosi që nga dje të mos e drejtojë më skuadrën lezhjane. Arsyeja: presidenti Gjok Noka i ndërhynte në formacion. “Nuk mund të qëndroja më te Besëlidhja, pasi presidenti Noka ndërhynte në formacion dhe dëshironte që të luanin lojtarët që kishte qejf ai. Ishte krijuar një situatë shumë e vështirë. Për këtë arsye u tërhoqa”, – janë fjalët e para të trajnerit të dorëhequr. A ia keni komunikuar dorëheqjen presidentit? “Nuk kam folur fare me të. Thjesht i kam thënë stafit me të cilin punoja dhe futbollistëve që do të largohesha. Nuk kam folur fare me Nokën”, – përgjigjet trajneri lushnjar.

Rrëfimi - Malko vendos të tregojë gjithçka me detaje, që nga momenti kur vendosi të jepte dorëheqjen dhe deri tek emrat e futbollistëve që presidenti Noka i kërkonte për t’i përfshirë në lojë. “Po ju tregoj gjithçka që nga fillimi. Për disa ndeshje gjatë fazës së dytë presidenti më thoshte shpesh që të përfshija këtë apo atë lojtar në formacion, por unë nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. Unë jam trajner profesionist dhe nuk mund të lejoj që një president të ndërhyjë në punët e mia. Përpara dy javësh, për sfidën ndaj Gramshit, më tha që të fusja në lojë sulmuesin Nemanja Mrdakoviç, çka unë nuk e pranova. Kjo, pasi ai është një lojtar që nuk më bind në stërvitje, ndaj nuk mund të hynte në fushë. Unë e kam provuar në disa takime të mëparshme dhe ai nuk më ka bindur. Në shumë raste Noka më thoshte: ‘pse nuk i fut në lojë, kot i kam marrë këta unë?’ Ndërkohë, në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, kur rezultati i pjesës së parë ishte 0-0, presidenti hyri te dhomat e zhveshjes dhe më tha që të nxirrja Aleksandër Miliç nga loja. Unë sigurisht që nuk veprova ashtu, ndërsa në fund ishte po ky lojtar që shënoi dy gola, duke na dhënë fitoren. Mirëpo Noka jo vetëm që nuk kërkoi falje për atë çka kishte thënë, por të martën kur shkova në stërvitje gjeta një atmosferë shumë negative, në një kohë që ne fituam ndaj Elbasanit. Në shumë momente më thoshte se pse fusja në lojë Malasin, në një kohë që ai lojtar ishte një prej më të mirëve që ka Besëlidhja”, – tregon Malko.

Problemet - Tekniku i dorëhequr vazhdon më tej duke bërë të ditur se jo çdo gjë shkon mirë në atë ekip dhe se lojtarët janë në një presion të vazhdueshëm. “Mund t’ju them se jam lodhur shumë duke punuar aty. Më duket sikur kam pesë vjet që kam qenë trajner i Besëlidhjes dhe jo tre muaj. Lojtarët janë nën presion gjatë të gjithë kohës, në një kohë që ka probleme të shumta edhe me rrogat. Nuk mund të vazhdoja të qëndroja aty. Megjithatë, më vjen keq për ata lojtarë shumë të mirë, me të cilët kisha një marrëdhënie të shkëlqyer. Më vjen keq që ika, por nuk mund të vazhdoja të qëndroja më aty. Gjithashtu edhe me tifozët kam pasur një marrëdhënie të mirë, të cilët i falënderoj për respektin që kanë pasur ndaj meje”, – thotë Malko. A besoni se Besëlidhja do të mbijetojë? “Di t’ju them që ka një grup shumë të mirë dhe cilësor dhe i ka shanset për mbijetesë. Por, nëse situata vazhdon të jetë e tillë dhe të ketë presion nga presidenti, sigurisht që gjithçka bëhet më e vështirë”. Në lidhje me të ardhmen Malko shprehet se është shumë shpejt: “Nuk kam vendosur asgjë. Kam nevojë të qëndroj pak pushim pas gjithë atyre situatave të vështira që kam kaluar. Më pas do të vendos se çfarë do bëj”, – përfundon prononcimin Sajmir Malko. (Panorama Sport)
 
Back To Top