Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 21: Gramshi - Besëlidhja 2:1. Transferta gjithmonë fatale!

Gramshi mund Besëlidhjen me rezultatin 2-1. Loja ka qenë e bukur dhe vërtet emocionuese. Që në minutat e para, gramshakët kanë kërkuar me insistim golin e avantazhit. Gjithsesi, janë miqtë nga Lezha ata që shënojnë të parët me anë të serbit Miliç, por anësori e anulon golin për pozicion jashtë loje. Më pas loja ka folur për gramshakët, të cilët kërkojnë në çdo moment golin, por nuk arrijnë të finalizojnë. Loja pozicionohet në mesfushë, ku të dyja skuadrat janë përqendruar në këtë repart, pasi aksionet janë më të pakta. Në minutën e 35-të afrikani Ziambo gjuan fort në drejtim të portës mike, por nuk gjen kuadratin e duhur. Skuadrat do të shkonin në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, fraksioni i dytë i lojës ka nisur me vrull për vendësit, që janë hedhur tërësisht në sulm. Në minutën e 50-të, lezhjanët mbesin me 10 lojtarë në fushë pas daljes me të kuqe të Peqinit. Gramshakët kërkojnë të përfitojnë nga epërsia numerike, ndaj dhe krijojnë raste të shumta, por mungon goli. Në një aksion të lezhjanëve një prej mbrojtësve gramshakë e prek topin me dorë dhe për kryesorin Demiraj ka 11-metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër Aritonoviç, i cili nuk gabon. Pas këtij momenti, loja bëhet akoma më e fortë, pasi janë gramshakët ata që kërkojnë me ngulm të ndryshojnë rezultat. Në minutën e 80-të, Lezi pas një aksioni në zonën e miqve kërcen fort dhe gjuan duke shënuar golin e barazimit. U mendua se gjithçka u mbyll këtu, por mendon Latifi për fitoren. Ai del i vetëm me portierin, gjuan fuqishëm topin dhe dyfishon rezultatin. Kështu, Gramshi merr tri pikë të çmuara dhe festa ka vijuar edhe në dhomat e zhveshjes, ku lojtarët gramshakë mes brohoritjeve kanë përgëzuar Latifin për këtë fitore që i dha ekipit.

Gramshi – Besëlidhja 2-1
Shënues: Lezi 80′, Latifi 91′/ Aritonoviç 55′(p)
Gramshi: Koçi, Bektoviç, Mehmetaj, Bariu, S.Kaloshi, Trashi, Çutra, Lezi, Çekrezi (Magani 68′), Ziambo (Latifi 82′), Le.Koçi Trajner: E.Hida
Besëlidhja: Xhika, Shytani, Hibra, Peqini, Gruda, Met’hasani, Pjetrushi (Malasi 40′), Aritonoviç, Nedeljkoviç, Kaçi, Miliç. Trajner: S.Malko.
Gjyqtarë: E.Demiraj, A.Mema, V.Tola (Pogradec)
Kartonë të verdhë: Trashi, Basriu, Pjetrushi, Peqini
Karton i kuq: Peqini 50′
   
Back To Top