Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Do braktisim kampionatin!

Disfata ndaj Gramshit nuk është pri tur mirë te Besëlidhja. Presidenti Gjok Noka ka reaguar duke akuzuar direkt për këtë humbje gjyqtarët e takimit. “Edhe këtë radhë FSHF-ja nuk harroi të na ndëshkonte nëpërmjet gjykimit. Ky reagim nuk vjen për faktin se unë dua të justifikoj humbjen, por është më se e vërtetë që një gjë e tillë ka ndodhur. Unë kam prova të pakontestueshme. Që në fillim loja u kontrollua nga Besëlidhja, për rrjedhojë në minutën e 3-të arritëm të shënonim një gol të shkëlqyer me anë të Miliç, mirëpo ky gol me pa të drejtë u anulua nga gjyqtari pogradecar Demiraj.

E jo vetëm kaq, por shumicën dërmuese të sulmeve tona i ndaloi me pretekstin e pozicionit jashtë loje. Pasi pjesa e parë përfundoi në barazim, gjyqtari që në fillim të pjesës së dytë, pa kaluar ende 10 minuta lojë, ndëshkoi me pa të drejtë me karton të kuq qendërmbrojtësin tonë Peqini. Kaq u desh që ekipi kundërshtar të kishte, përveç gjykimit të njëanshëm, edhe epërsinë numerike. Po ta gjykojmë në këndvështrimin e situatës kur iu dha kartoni i kuq Peqinit, të paktën dy futbollistë gramshakë duhej që të ishin ndëshkuar patjetër në të njëjtën mënyrë, pasi ndërhyrjet e tyre ishin brutale. Ato shkuan deri në tërheqje ekstreme prej bluze, pa lënë mënjanë presionin psikologjik, që nuk kishte të sosur, duke i sharë e ofenduar futbollistët tanë deri tek familja. Për të gjitha këto kam prova filmike. Me paraqitjen që bëri skuadra kundërshtare, po të kishte gjykim të rregullt, ekipi im mund të kishte fituar nëse në fushë do të ishin punëtorët e fushës dhe jo më lojtarët. Duke u nisur nga kjo situatë, që për mua është alarmante, i bëj thirrje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, që të marrë masa në radhët e gjyqtarëve. Në këto kushte, Besëlidhja nuk mundet të mbijetojë nga ndëshkimi i gjyqtarëve pothuajse në të gjitha transfertat. Ose të merren masa, ose po e ndërpresim që tani vijueshmërinë e futbollit”, – ka përfunduar Noka. (Panorama Sport)
    
Back To Top