Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Sinan Bardhi është trajneri i ri i Besëlidhjes

Vetëm një ditë ka qëndruar pa trajner skuadra e Besëlidhjes. Pas dorëheqjes të enjten të teknikut lushnjar Sajmir Malko, presidenti lezhjan Gjok Noka zgjodhi dje drejtuesin e ri të pankinës. Sinan Bardhi do të jetë trajneri i Besëlidhjes. Noka ka kontaktuar me teknikun tiranas dhe i ka bërë ofertën, e cila është pranuar menjëherë nga Bardhi. Trajneri është nisur menjëherë për në Vorë, ku është bashkuar me skuadrën dhe më pas kanë udhëtuar drejt Himarës për sfidën e sotme. “Që nga sot (dje), Besëlidhjen do ta drejtojë një trajner mjaft i aftë dhe tepër i suksesshëm siç është Sinan Bardhi, i cili i është bashkuar skuadrës që në Vorë për ta drejtuar sot në Himarë. Jam i bindur se Besëlidhja do mbijetojë, pasi ka në përbërje futbollistë mjaft cilësorë, por që nuk janë mirëmenaxhuar profesionalisht nga paaftësia e trajnerit Sajmir Malko. Falë trajnerit të ri Sinan Bardhi, Besëlidhja do të mbetet në të Parën”, – shprehet në prononcimin e tij presidenti lezhjan, Gjok Noka. Bardhi ka qenë deri përpara tri javësh trajner i Mamurrasit.
 
Back To Top