Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bomba e Gjok Nokës: Ja si më kërkoi parà gjyqtari Peza

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, hedh akuza të rënda ndaj gjyqtarit të ndeshjes së të shtunës Kamza- Besëlidhja (2-1), Ervis Peza. Kreu i klubit lezhjan shpërthen duke deklaruar hapur: “Ai gjyqtar më ka kërkuar para. Më ka thënë që t’i jepja lekë që të fitoja ndeshjen ndaj Kamzës. Ai është hajdut”. Noka deklaron për “Panorama Sport” se ka fakte dhe se është i gatshëm të përballet me Pezën edhe në Prokurori. “Jam i gatshëm të përballem me të në çdo moment, përpara të gjitha organeve kompetente, duke nisur që nga Prokuroria”, – thotë presidenti i Besëlidhjes.

Keni hedhur akuza ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes së të shtunës, Kamza-Besëlidhja, Ervis Peza. Përse e akuzoni konkretisht?

Ai më ka kërkuar para. Më ka thënë që t’i jepja lekë që ta fitoja ndeshjen ndaj Kamzës. Ai është hajdut.

Ju ka kërkuar personalisht juve para?

Po. E kam marrë dje (të dielën) në telefon dhe i thashë pse ma humbe ndeshjen e së shtunës për 10 milionë lekë? Nëse nuk m’i jep ti, m’i japin të tjerë më tha. Ai është hajdut.

Kur ua ka kërkuar paratë?

Përpara ndeshjes së të shtunës me Kamzën jemi takuar te stadiumi dhe i kam dhënë dorën dhe i kam thënë që ta mbante ndeshjen mirë. Ai më tha që: ti nuk më jep para, të tjerët më japin. Në këtë mënyrë, jo vetëm që e kemi humbur ndeshjen, por ka ndikuar që të humbasim të gjithë sezonin.

Keni fakte?

Sigurisht që kam. Jam i gatshëm të përballem me të në çdo moment, përpara të gjitha organeve kompetente, duke nisur që nga Prokuroria. Duhet që ky institucion të nisë hetimet dhe të nxjerrë të vërtetën në shesh. Unë jam i gatshëm në çdo moment që të deklaroj ato çfarë di. Ai gjyqtar përdoret nga FSHF-ja dhe po na dëmton të gjitha investimet. Të ndërhyjnë organet kompetente dhe të sqarohet e gjithë çështja.

Mendoni se një ditë jo vetëm kësaj çështjeje, por edhe të tjerave do t’u shkohet deri në fund?

Nëse ka vullnet nga organet kompetente dhe hetohet çdo gjë, e vërteta mund të dalë dhe le të njihen të gjithë me atë çfarë ndodh. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë pafundësisht. Futbolli shqiptar duhet të shpëtojë nga këto padrejtësi. (Panorama Sport)
   
Back To Top