Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 25: Naftëtari - Besëlidhja 0:1. Vjen fitorja e parë në transfertë

Kuçovarët janë dorëzuar dje në stadiumin e Beratit, përballë një Besëlidhjeje, së cilës i ka mjaftuar vetëm një gol i Miliç dhjetë minuta përpara fundit të takimit. Kuçovarët kanë humbur raste pa fund për shënim dhe me më pak kujdes mund të kishin dalë me pike, pse jo edhe me fitore nga kjo ndeshje, rezultati i së cilës u ka prerë atyre një biletë për në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm. Për sa i përket takimit, duhet thënë se në përgjithësi ai ka shkuar i qetë, me përjashtim të disa rasteve, kur tifozët vendës kanë kontestuar vendimet e kryesorit.

Pjesa e parë - Vendasit janë më kërkues për të gjetur rrugën e rrjetës edhe për faktin se luajnë në fushën e tyre. Në të 15′, Olatynji frenohet në mënyrë të parregullt brenda zonës kundërshtare, por çuditërisht Meta lejon vazhdimin e aksionit, edhe pse vendasit pretendojnë për 11-metërsh. Në krahun tjetër, miqtë rrezikojnë seriozisht në minutën e 32-të me anë të Dibrës, i cili godet nga afër shtyllën transversale. 45 minutat e para nuk do të rezervojnë raste të tjera për të shënuar, pasi loja është zhvilluar kryesisht në mesfushë.

Pjesa e dytë - Fraksioni i dytë i lojës nis me një rast të pastër për shënim për kuçovarët, ku Okoronko i kishte të gjitha mundësitë për ta dërguar topin në rrjetë, por gabon në momentin final. Përpjekjet e kuçovarëve janë të shumta, por gradualisht loja e tyre pëson rënie, ndërsa lezhjanët duken më të qartë në 15 minutat e fundit. Në minutën e 75-të, Danaj shpërdoron një rast të mirë për shënim, edhe pse ishte i vetëm përballë portierit Kora. Ndërsa vendësit në të 78′ pretendojnë për një tjetër 11-metërsh, por përsëri Meta vazhdon aksionin. Pas dy minutave vjen goli i vetëm i takimit. Miliç, pasi merr një asist nga Danaj, nuk e ka të vështirë ta dërgojë sferën në rrjetë. Kuçovarët nuk u besojnë syve, ndërsa vendësit mundohen të korrigjojnë diçka në lojën e tyre, por nuk ia arrijnë të barazojnë shifrat, duke shuar në njëfarë mënyre edhe shpresat për mbijetesë në Kategorinë e Parë, pasi takimin e ardhshëm e luajnë në transfertë ndaj Kamzës, e cila do të dalë nga zona e ftohtë e renditjes.

Naftëtari - Besëlidhja 0:1
Shënues: Miliç 80′
Naftëtari: Kora, Azisaj, Llënga, Daci, Kajo (Zylyftari 46′), Koroveshi (Hadaj 80′), S.Gega, Okoronko, Alushi, A.Gega, Olatynji (Lila 59′). Trajner: E.Koxhaj
Besëlidhja: Xhika, Kepi, Shytani, Jakovljeviç, Dibra, Peqini, Nedeljekoviç (Danaj 60′), Pepaj (Prendi 90′), Aritonaviç, Mradokoviç (Malasi 46′), Miliç. Trajner: S.Bardhi
Gjyqtarë: K.Meta, D.Myftaraj, B.Beriolli (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Olatynji 53′, Zylyftari 82′ / Peqini 34′, Pepaj 83′
    
Back To Top