Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 28: Besëlidhja - Dinamo 1:0. Tri pikë që do të thojnë shpresë!

Pasditen e sotme, u zhvillua ndeshja Besëlidhja-Dinamo, e vlefshme për Javën e 28-të të Kategorisë së Parë 2012-13. Ishte një takim mjaft i rëndësishëm ky për të dy skuadrat, që përcaktonte mjaft për pozicionimin e secilit ekip në renditje në këtë fund të sezonit. Loja është zhvilluar e ashpër, ku nuk kanë munguar dyluftimet e forta dhe përplasjet mes lojtarëve të dy ekipeve dhe gjithçka është mbyllur me rezultatin 1-0 për vendasit. Tani mbeten edhe dy takime për tu fituar, me Partizanin në trasfertë dhe Ilirinë në shtëpi, për të arritur mbijetesën në kategorinë e parë.

Vendësit kontrollojnë lojën që në minutat e para. Në minutën e 6-të vjen edhe rasti i parë për lezhjanët. Malasi kroson në zonë për Arenc Dibrën, por goditja me kokë e këtij të fundit përfundon jashtë. Pas minutës së 10-të vendësit hidhen thuajse të gjithë në sulm dhe ushtrojnë presion. Shumë prej aksioneve janë ndërprerë nga gjyqtari kryesor Laver Alla, çka ka zgjatur për rreth 10 minuta. Kjo, sipas stafit teknik të vendësve, bëhej me tendencë dhe nuk pajtoheshin me arbitrin në shumë vendime për faulle. Për pasojë, në minutën e 23-të, trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi, vendos ta tërheqë skuadrën nga fusha. Lojtarët janë afruar pranë pankinës lezhjane dhe ndërprerja e sfidës ka zgjatur për tri minuta. Pas ndërhyrjes së delegatit dhe vëzhguesit, lojtarët janë rikthyer sërish në fushë. Pas këtij momenti, sulmet e lezhjanëve shtohen dhe goditjet në portë janë të shumta. Mirëpo mungon goli dhe pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0. Fraksioni i dytë është edhe më i bukur. Një lojë e fortë, energjike, ku vendësit sulmojnë furishëm dhe me forca të shumta në kërkim të golit. Nga ana tjetër, miqtë mblidhen të gjithë në mbrojtje dhe vetëm largojnë topat.

Në minutën e 52-të, Nedeljkoviç provon të gjuajë nga rreth 35 metra, por topi kalon shumë larg traversës së bluve. Katër minuta më pas, miqtë nga Tirana arrijnë të riorganizohen dhe i afrohen zonës lezhjane, por nuk rrezikojnë sa duhet. Në të 67-ën minutë, pas një krosimi në zonë, është Gruda i vendësve që gjuan me kokë nga e majta e sulmit, por topi devijohet jashtë katërkëndëshit dinamovit. Në minutën e 75-të, Beqiri për dinamovitët mundohet të organizojë një aksion, por venitet shumë shpejt nga mbrojtja vendëse. Në minutën e 82- të lezhjanët hidhen thuajse të gjithë në sulm dhe fitojnë një goditje këndi. Nga krosimi në zonë është Pepaj, i cili arrin mjeshtërisht të fusë kokën mes mbrojtësve dinamovitë dhe e dërgon topin në rrjetë, 1-0. Lojtarët festojnë si të çmendur, në një kohë që në shkallët e stadiumit tifozët janë të ekzaltuar. Edhe minutat e mbetura, përfshi këtu edhe gjashtë minuta shtesë, nuk sollën asgjë dhe Besëlidhja siguroi një fitore të rëndësishme.

Besëlidhja - Dinamo 1:0
Shënues: Pepaj 82'
Besëlidhja: Xhika, Shytani, K.Dibra (Pepaj 70′), Kepi, Jakovljeviç (Danaj 56′), Nedeljkoviç, Aritonoviç, Malasi (Gruda 63′), A.Dibra, Kaçi, Miliç. Trajner: S.Bardhi
Dinamo: Lamellari, Sekseni, Beqiri, Rexhepi, Kule, Dosti, Muça, Capo, Imami (Sorra 82′), Ferhati (Turtulli 65′), Djarmati. Trajner: E.Dalipi
Kartonë të verdhë: Miliç 20′, Kepi 30′, Kaçi 45+4′, A.Dibra 84′, Shytani 90+2′/ Beqiri 45+3′
Karton i kuq: R.Danaj 85′
 
Back To Top