Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Llogaritë e Nokës: Ja si mbijeton Besëlidhja


Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, është i bindur se lojtarët e tij do t’i dhurojnë një fitore ndaj Naftëtarit në shtëpi. Madje presidenti bën edhe llogaritë e mbijetesës. “Edhe pse fituam të shtunën ndaj Tërbunit me rezultat të pastër, nuk rikuperuam pozicione në renditje, pasi ekipet rivale me ne arritën gjithashtu të fitonin. Megjithatë, jam i bindur se deri në përfundim të kampionatit Besëlidhja do të jetë jashtë zonës së rrezikut, kjo falë punës profesionale që po bën trajneri Sinan Bardhi, i cili e mori përsipër drejtimin e skuadrës në një moment kritik, por jo të pashpresë. Bindjen time për mbijetesë e mbështes në tri pika. E para, në potencialin teknik, fizik e taktik që ka vetë Besëlidhja. E dyta, në aftësitë profesionale dhe mirëmenaxhuese të këtij potenciali nga trajneri. Dhe e treta, konfigurimi i tabelës së klasifikimit, pasi në vallen e rrezikut janë të paktën dhjetë skuadra, nga ku më e mira që i prin kësaj dhjetësheje ka një diferencë prej vetëm 5 pikësh, ndërkohë që në lojë matematikisht janë dhe 18 pikë”, ka përfunduar Noka. (Panorama Sport)
   
Back To Top