Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka polemik: Berberin do ta presim me kërbaç!

Besëlidhja do të presë të shtunën në shtëpi skuadrën e Tërbunit. Një sfidë që konsiderohet si shumë e rëndësishme për skuadrën lezhjane për sa i përket objektivit që ka, mbijetesës në Kategorinë e Parë. Në prag të këtij takimi, është presidenti i klubit lezhjan, Gjok Noka, që lëshon një deklaratë “bombë” dhe thotë hapur se kjo sfidë nuk do të kalojë edhe aq lehtë. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, presidenti i Besëlidhjes, Noka, shprehet: “Gjithmonë fusha e Besëlidhjes ka qenë edhe do të jetë një arenë e futbollit mikpritës, pra një fushë ‘fair play’, por në ndeshjen e së shtunës ndaj Tërbunit do të dalim pak nga tradita, ju kërkoj ndjesë tifozërisë së mrekullueshme pukjane, por drejtorin teknik të Tërbunit, Shahin Berberi dhe ndonjë futbollist të tij sekser dhe matrapazë do t’i pres si armiq. Këtë dalje nga tradita lezhjane dhe që të dal jashtë natyrës sime ma kanë imponuar shumë arsye, që sipas meje janë objektive. Nuk është Besëlidhja një skuadër që të shfajësojë fajtorët, siç është Berberi, i cili i la pikët në Pukë Elbasanit dhe kërkon të shfajësohet në Lezhë, por është një skuadër që di të fitojë, të mirëpresë çdo skuadër apo individ, di edhe të përshtatet me të pabesët, por edhe e aftë që të mbijetojë”, deklaroi fillimisht kreu i klubit lezhjan.

Në vijim ai i është drejtuar Berberit që t’i harrojë pikët në Lezhë dhe sapo të zbresë nga autobusi e deri në fushë do të pritet si armik, thënë ndryshe me kërbaç, pa përmendur golat që do të pësojë gjatë 90-minutëshit. “E di mirë Berberi se kush është Besëlidhja, e ka provuar edhe me Kukësin. Besoj se nuk e harron, ndaj po ia kujtoj se Besëlidhja nuk është ekip katundesh, por një ekip profesionist. E respektoj në maksimum ekipin pukjan dhe tifozërinë e tij, por trajnerë si Berberi dhe ndonjë futbollist sekser po e turpërojnë futbollin pukjan. Kërkoj nga Berberi që kur të vijë në Lezhë, të vijë kokulur dhe t’i kërkojë ndjesë lezhjanëve dhe tifozërisë pukjane që po i shet ndeshjet me paturpësinë më të madhe. Të shtunën, dyert e stadiumit “Besëlidhja” do të jenë të hapura dhe mirëpresim të gjithë tifozërinë dhe në mënyrë të veçantë, tifozërinë e zjarrtë pukjane, që është serioze, por që po e nëpërkëmb Berberi me matrapazllëqet e tij të fëlliqura. Edhe një herë po e theksoj: T’i harrojë pikët në Lezhë Berberi. Në Lezhë, në vend të pikëve, do të marrë kërbaç dhe gola të pësuar”, ka përfunduar Noka. (Panorama Sport) 
   
Back To Top