Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Plani i Bardhit: Ja si e shpëtoj Besëlidhjen

Ka vetëm dy javë në drejtimin e skuadrës së Besëlidhjes, megjithatë Sinan Bardhi është i bindur se do t’i nxjerrë lezhjanët nga situata e vështirë në të cilën ndodhen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Bardhi shprehet: “Besëlidhja është një emër i madh, ndaj dhe karizma e saj të bën që të pranosh me kënaqësi ftesën për ta drejtuar dhe për ta shpëtuar, pasi këtë sezon e ka parë veten shumë poshtë në renditje. Besëlidhja ka një grup futbollistësh të talentuar dhe punëtorë, por duan një menaxhim të kujdesshëm për të marrë rendimentin që e kanë të akumuluar brenda vetes. Për mua ka qenë pak e vështirë për të pranuar ftesën, por duke u bazuar mbi meritat që përmenda më lart dhe shtatë javët e kampionatit që përkthehen matematikisht në 21 pikë, me punë sistematike, kurajë e besim në vetvete, si unë, po ashtu edhe futbollistët, kemi besim se do ia dalim që të mbijetojmë, kjo falë mbështetjes pa rezerva të presidentit Gjok Noka. Mbijetesa garantohet dhe jam i sigurt që do të ndodhë, ndonëse sasia e pikëve që ka grumbulluar deri tani është e pakët. Objektivi realizohet duke i konsideruar të shtata ndeshjet e mbetura si finalen e fundit të mbijetesës. Jam plotësisht i bindur se ky ekip do të mbetet në Kategorinë e Parë, pasi një gjë të tillë e meriton, pasi kampionati pa Besëlidhjen, të paktën në Kategorinë e Parë, ka një boshllëk të madh që nuk e mbush asnjë ekip tjetër”, ka përfunduar Bardhi. (Panorama Sport)
    
Back To Top