Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka e konsideron takimin ndaj Burrelit një sfidë vendimtare

Besëlidhja do të presë sot Burrelin në fushën e vet në ndeshjen e radhës në kampionat. Pas fitores së të mërkurës që lezhjanët siguruan ndaj Naftëtarit, e cila ishte e para për këtë sezon në transfertë, sot do të kërkojnë 3-pikëshin e radhës për të mos rrezikuar në këto pesë javë të mbetura deri në mbyllje të kampionatit. Dje, nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi dhe mbikëqyrjen e presidentit Gjok Noka, Besëlidhja u dha dorën e fundit përgatitjeve për të qenë të gatshëm për të arritur fitoren. Presidenti Noka e konsideron takimin ndaj Burrelit një sfidë vendimtare, por garanton se gjithçka do të jetë “fair play”. Në lidhje me këtë sfidë, Noka shprehet: “Presim Burrelin për ndeshjen e radhës, sfidë për të cilën Besëlidhja është e dënuar që të fitojë, pasi gabimi më i vogël na kushton shtrenjtë. E respektojmë maksimalisht presidentin dhe trajnerin e Burrelit, pasi janë njerëz shumë të mirë dhe me reputacion, por duhet të na mirëkuptojnë se Besëlidhjes i duhet medoemos fitorja, pasi gabimi më i vogël na kushton mundin dhe djersën e një sezoni të tërë. Edhe një herë po e përsëris, të më mirëkuptojë Burreli, pasi ndodhem në një pozitë tepër të vështirë dhe për këtë nuk duhet ta vëmë për asnjë moment në dyshim triumfin”, shprehet Noka në prononcimin e tij. Tekniku Bardhi i ka të gjithë lojtarët në dispozicion për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. (Panorama Sport)
    
Back To Top