Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

I turpshëm dënimi i Bardhit! Trajneri: do të apeloj tek Duka

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i trajnerit të skuadrës së Besëlidhjes, Sinan Bardhi, në lidhje me dënimin që ka marrë nga FSHF-ja me një vit pezullim. “Po habitem shumë për këtë dënim që e mësoj nga ana juaj. Unë gjithmonë kam qenë promotor i mostërheqjes së skuadrës nga fusha, edhe kur kjo më është imponuar nga drejtuesit më të lartë të klubeve, ku unë kam drejtuar si trajner. Unë jam prototipi që kurrsesi nuk e kam pranuar një gjë të tillë pa arsye. Jam i detyruar që këtë masë ta pranoj, por jo kaq lehtë, pasi do të ndjek hapat e duhur ligjorë dhe do t’i shkoj deri në fund çështjes, madje deri te presidenti i FSHF-së, zoti Armando Duka”, ka deklaruar Bardhi, i cili është shprehur se ky fenomen është parë edhe në ndeshje të tjera, por dënimi nuk ka qenë i tillë. “Kësisoj, fenomen të tërheqjes së skuadrave ka pasur pothuajse çdo javë. Janë tërhequr jo tri minuta sa ne, por me minuta të tëra janë futur deri nëpër dhomat e zhveshjes, por nuk është marrë asnjë masë e jo masa kaq të rrepta. Besëlidhja vetëm ka ndalur lojën, nuk ka dalë jashtë vijave kufizuese të fushës dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë as për tri minuta të plota dhe më pas ndeshja ka vazhduar normalisht”, ka vazhduar Bardhi prononcimin e tij.
 
Ndërkohë, lezhjanët janë dënuar edhe me zhvillimin e një ndeshjeje pa tifozë, me arsyen e masave të dobëta në ndeshjen ndaj Besëlidhjes. “Më vjen keq, por jo vetëm në atë ndeshje, por historikisht në Lezhë gjendja ka qenë gjithmonë e qetë dhe masat e sigurisë kanë qenë në maksimum. Pse u hodhën në fushë dy-tri shishe 0.5 litërshe dhe këto, të boshatisura, kur në stadiumin kombëtar janë hedhur me dhjetëra shishe, por nuk është marrë asnjë masë. Ndërsa në shumë stadiume situata ka shkuar deri aty sa janë hedhur edhe kapsolla, pa përmendur çakmakë dhe sende të tjera të forta. Unë jam i qetë, pasi takimi është i verifikueshëm, pasi në stadium ka pasur kamera”, ka përfunduar Bardhi.
 
Back To Top