Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 29: Partizani - Besëlidhja 1:1. Me një këmbë në Kategorinë e Dytë!

Grintë, tension, spektakël dhe pak gola ka rezervuar ndeshja e djeshme mes Partizanit dhe Besëlidhjes, e cila u luajt në stadiumin e Yrshekut. Lezhjanët janë fundosur në tabelën e renditjes dhe janë me një këmbë në Kategorinë e Dytë. Ashtu siç ishte parashikuar, trajneri Hasan Lika kishte hedhur në fushë formacionin e tij më të mirë, në një ndeshje nga e cila kërkohej maksimumi. Minutat e para të lojës janë mjaft të vrullshme për miqtë, të cilët mundohen të kërkojnë golin e fitores, por e kanë të pamundur përballë një mbrojtjeje hermetike. Nga ana tjetër, Malo, Abzaj dhe Lala janë një rrezik permanent për mbrojtjen lezhjane dhe gjuajtjet e tyre priten nga portieri Xhika, një emër i njohur në kampin e kuq. Minutat kalojnë dhe tensioni në radhët e futbollistëve të kuq është prezent në çdo moment, pasi rastet e humbura janë të shumta.

Atëherë kur nuk pritej, do të vinte edhe goli i miqve. Nedelkjoviç në minutën e 27-të, pasi do të kontrollonte bukur një top në kufijtë e zonës së të kuqve, do të gjuante fort duke e ndalur topin në rrjetë. Partizani nuk u beson syve, ndërkohë që pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Me fillimin e së dytës, vendësit hidhen në kërkim të golit të barazimit, ndërkohë që Lika bën edhe disa zëvendësime në formacion. Minuta e 75-të dhe Tushe do të krosojë një top në zonë, i cili merr një trajektore të çuditshme dhe përfundon në rrjetën e Xhikës. Lezhjanët nuk u besojnë syve, ndërsa sulmet e tyre të mëpasshme nuk kanë forcën e duhur për të rrezikuar katërkëndëshin e mbrojtur nga Gjonikaj, i cili ka zënë vendin e Adroviç në këtë pjesë të dytë. Por, pas golit të barazimit, edhe Partizani nuk arrin t’i dyfishojë shifrat, çka bën që kjo ndeshje të përfundojë në barazim, rezultat që nuk i ka shkuar aspak për shtat Besëlidhjes.

Partizani - Besëlidhja 1:1
Shënues: Tushe 75′ / Nedelkjoviç 27′
Partizani: Adroviç (Gjonikaj 46′), F.Tafaji, Duqi, Udo, Prençi, Devolli (Thana 46′), Oladele, Tushe, Lala, Malo, Abazaj (Agastra 63′). Trajner: H.Lika;
Besëlidhja: Xhika, Dibra, Peqini, Malasi, Jakovljeviç, Aritonoviç, Nedeljkoviç, Dibra, Pepaj, Prendi (Lekaj 55′), Mrdakoviç (Pjetrushi 67′). Trajner: G.Lani
Kartonë të verdhë: / Aritonoviç 68′, Peqini 77′
Kartonë të kuq: / Pjetrushi 77′
 
Back To Top