Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja mundet nga Teuta dhe eliminohet nga Kupa e Shqipërisë

Besëlidhja është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, duke u mundur me rezultatin 2-0 nga Teuta në Durrës. Loja nis e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që tregohen shumë të kujdesshme. Durrsakët nuk vonojnë dhe fillojnë të shfaqen shpesh në zonën e portierit Rexhepi, i cili pati shumë punë gjatë ndeshjes, ndërsa me pritjet e tij zgjidhi disa situata të rrezikshme. Të besuarit e Maganit kanë eksperiencën mbi supe dhe nuk kanë frikë të marrin përsipër aksione. Madje, krahu i majtë, ku ishte vendosur Da Silva dhe Çyrbja, ishte më produktiv. Rasi më flagrant do të vinte pikërisht në minutën e 13-të, kur Mustafaj me një asist gjen të lirë Rezin, por sulmuesi i ri dhe i talentuar nuk mundi ta zhbllokonte rezultatin. Vendësit vijojnë të krijojnë aksione të frikshme. Në minutën e 23-të Nika shkëputet bukur në krahun e djathtë, lëshon një top në zonë për Mustafajin, i cili godet dhe zhbllokon rezultatin, 1-0. Ndërkohë, pas pësimit të golit, miqtë përpiqen të reagojnë dhe me anë të Allamanit e Danajt, vënë në vështirësi mbrojtjen durrsake. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për Teutën. Menjëherë sapo startoi fraksioni i dytë i ndeshjes, trajneri i Besëlidhjes kreu tri zëvendësime. Edhe Magani bëri të njëjtën gjë, duke futur në fushë Beqjen, Murriqin dhe Dostin. Loja merr të tjera ngjyra, pasi rastet për shënim nuk i linin radhë njëritjetrit. Pas disa aksionesh të njëpasnjëshme, durrsakët do të gjenin edhe golin e dytë dhe të sigurisë. Në minutën e 60-të, Muriqi merr një pasim të shkëlqyer, godet dhe 2-0. Minutat e mbetura ishin të barabarta për të dyja skuadrat, duke mos sjellë ndryshime në rezultat.

Teuta - Besëlidhja 2:0
Shënues: Mustafaj 23′, Muriqi 60′
Teuta: A.Osmani, Jakupi, Da Silva, Kastrati, R.Hoxha, Nika (Beqja 63′), Hodo (Dosti 57′), Deliallisi, Çyrbja, Mustafaj, Rezi (Muriqi 53′). Trajner: Gugash Magani
Besëlidhja: Rexhepi, Ndoka, Begaj, Baçi, Nikolli, Dibra, Xhixha (Lekaj 46′), Gruda, Lini (Shima 46′), Allamani (Doda 46′), Danaj. Trajner: Sinan Bardhi
Gjyqtarë: F.Xhemalaj, E.Gançi, E.Sinanaj (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Begaj 17′

Sinan Bardhi, pas ndeshjes u shpreh: “Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, ku të gjithë lojtarët dhanë maksimumin e tyre. Pavarësisht rezultatit, skuadra funksionoi shumë mirë, u mbrojt dhe krijoi raste për shënim. Ne e morëm atë për të cilën kishim ardhur në Durrës. Këtu i referohem lojës që zhvilluam, pasi përballë kishim një skuadër si Teuta”.
 
Back To Top