Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 9: Turbina - Besëlidhja 0:2. Fitore mes tensionit!

Tension i lartë, sherr masiv mes futbollistëve, incidente dhe vendime të kontestuara. Me këto fjalë mund të përmblidhet tabloja e sfidës së djeshme midis Turbinës dhe Besëlidhjes. Supersfida ka startuar me episode që në fillim të saj. U desh një vendim i kryesorit Gjeçi dhe i gjithë kampi cërrikas rebelohet. Trajneri Engjëll Belshi konteston fuqishëm faullin e akorduar, duke hyrë në fushë, por arbitri kryesor sinjalizon dëbimin e tij jashtë saj. Pas një shkëmbimi të gjatë replikash, u desh ndërhyrja e delegatit të FSHFsë, Sulejman Demollari, dhe e forcave të rendit, që trajneri Belshi të linte mjediset e stadiumit. Loja nis sërish dhe në minutën e 4-t Lini kalon miqtë në avantazh me goditje dënimi. Edhe në minutat vijuese arbitri kryesor akordon shumë kartonë. Pikërisht në të 31-ën, ndëshkimi me karton të kuq i Fjodor Kamamit krijon një situatë kaotike në fushë. Lojtarët përleshen me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer goditje dhe të shtyra dhe i detyruar sërish uniformat blu të ndërhyjnë. Edhe në fraksionin e dytë të lojës vendësit irritohen shumë nga gjykimi i Gjeçit, i cili dha gjashtë kartonë për Turbinën dhe dy për Besëlidhjen. Gjithsesi, miqtë vijuan përpjekjet e tyre për të siguruar tri pikët. Sërish Lini në 60-ën dyfishon rezultatin me një goditje fluturimthi në hyrje të zonës. Pas pësimit të golit të dytë cërrikasit mbeten me 9 lojtarë, pasi Duro ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Përfundimisht takimi fiksohet në shifrat 0-2 dhe në këtë mënyrë Turbina ndal serinë e rezultateve pozitive, ndërsa lezhjanët vijojnë suksesshëm rrugëtimin e ngjitjes në Kategorinë e Parë.

Turbina - Besëlidhja 0:2
Shënues: Lini 3′, 60′
Turbina: Miza, Duro, Plaka, Metaj, G.Kamami, F.Kamami, Xhelili, Myftaraj, Plaku (Shehu 68′), Dine (Ferhati 52′), Sopjani. Trajner: E.Belshi
Besëlidhja: Rexhepi, Ndoka, Begaj, Shytani, Baçi, Dibra, Xhixha, Lini, Shima (Mekaj 90′), Allamani, Bushi (Lekaj 81′). Trajner: S.Bardhi
Kartonë të verdhë: Sopjani, Plaka, Plaku, Duro/ Ndoka, Shytani
Kartonë të kuq: F.Kamami, Duro
 
Back To Top