Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Apeli i kapitenit Gruda: Duhet riformatuar Besëlidhja

Kapiteni i Besëlidhjes, Mirsad Gruda, në një bisedë për “Panorama Sport” ka pohuar se këtë skuadër e sheh në Superiore. Mirëpo, sipas tij, duhet vënë dorë në rinovimin e skuadrës, pasi kualiteti dhe konkurrenca në Kategorinë e Parë është shumë e lartë. 

“Ngjitja në Kategorinë e Parë ishte normale për një skuadër si Besëlidhja, surprizë qe kur ramë në të Dytën. Mirëpo tashmë e kemi lënë pas atë të kaluar të hidhur dhe duhet të mendojmë për edicionin e ardhshëm. Trajneri Sinan Bardhi, i cili me shumë gjasa do të na drejtojë edhe kampionatin e ardhshëm, duhet të vërë dorë seriozisht në riformatimin e skuadrës. Grupi që mbylli sezonin është kualitativ, por kjo duhet ndërthuret me ndonjë afrim cilësor, për çka jam i bindur se do të ndodhë. Kjo pasi presidenti Gjok Noka po punon intensivisht në bisedime me disa futbollistë cilësorë. Besëlidhjes tashmë i ka ardhur koha që të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar”.

Situata: Deri më tani te lezhjanët nuk ka ndonjë të afruar, ndonëse bisedimet me lojtarët e piketuar janë intensive. Ngjitja në kategori kërkon ndryshime radikale në skuadër, ndaj dhe drejtuesit po punojnë në këtë drejtim. Duke vijuar kapiteni Gruda pohon: “Edhe pse jemi me pushime, s’e kemi lënë mënjanë stërvitjen individuale, që sadopak ta ruajmë formën fizike, për të qenë të gatshëm për të filluar suksesshëm fazën përgatitore, që pritet të startojë aty nga mesi i korrikut”, – ka përfunduar kapiteni i Besëlidhjes, Mirsad Gruda.
     
Back To Top