Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka tregon planet për sezonin e ri: S’do nxitohemi!

Drejtuesit e Besëlidhjes ende nuk kanë konkretizuar ndonjë emër për sezonin e ri, pavarësisht se që në fund të fazës së dytë të sezonit që lamë pas kanë menduar për prurjet të reja.

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, në një bisedë për “Panorama Sport” u shpreh: “Pa dyshim që Besëlidhja e sezonit të ardhshëm do të jetë ndryshe, ndaj do të vëmë dorë seriozisht në riformatimin e skuadrës. Kam ngarkuar stafin teknik, me në krye trajnerin Sinan Bardhi, për të piketuar futbollistë cilësorë, pasi ata e dinë se ku ka nevojë për ndërhyrje, ndërsa unë kam ‘qesen’. Deri më tani, trajneri Sinan Bardhi ka studiuar shumë lojtarë të kampionatit shqiptar nga Kategoria e Parë dhe nga Superiorja, por ende nuk jemi të vendosur për ndonjë emër konkret. Kjo merkato ndryshe nga të tjerat është shumë e mbingarkuar, pasi kemi dyndje të shumë futbollistëve që janë vetofruar, ndërsa ata që mbyllën sezonin janë të gatshëm të qëndrojnë. Ndaj, në këtë mori futbollistësh do të përzgjidhet elementi që vlen. Tani që kemi hyrë zyrtarisht në merkato, shumë shpejt do të kemi emra konkretë futbollistësh cilësorë. Fanellën e Besëlidhjes do ta veshin vetëm ata futbollistë që do të bindin. Kategoria e Parë është tepër konkurruese edhe për mbijetesë e jo më për ne që pretendojmë dhe do t’ia dalim që të ngjitemi në Superiore. Struktura e re e kampionatit të Kategorisë së Parë me 10 skuadra dhe tri faza është shumë e paparashikueshme, ndaj duhet që në fillim të sezonit të kemi rezultate pozitive. Ndaj nuk do të nxitojmë, por do të punojmë me laps në dorë dhe mend në kokë”
 
Back To Top