Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Zbardhen planet e Besëlidhjes, Noka do Superioren

Fluksi i madh i vetofrimeve dhe rikthimeve te Besëlidhja në këtë merkato vere po bën përshtypje të madhe në opinionin lezhjan. Deklarata e Aleksandër Stojkoviç dhe më pas edhe e Milan Gjeorgjeviç po krijojnë një klimë besimi në ekip.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti i skuadrës, Gjok Noka flet për planet në merkaton e verës dhe synimet për kampionatin e ardhshëm. “Çdo ditë, përveç deklaratave publike në mediat sportive, kam një fluks të madh telefonatash nga ish-futbollistë që dikur kanë luajtur te ne. Kjo do të thotë se Besëlidhja është një ndër skuadrat më mikpritëse dhe më korrekte në kampionatin tonë, përfshi të gjitha kategoritë. Kushtet, trajtimi dhe më kryesorja likuidimi financiar janë gjithçka OK. Në bashkëpunim me stafin teknik të kryesuar nga trajneri Sinan Bardhi, kemi hartuar një strategji ndryshe nga sa është parë deri tani për sa i përket merkatos verore. Jemi duke punuar në heshtje të plotë, larg kafeneve. Ky fluks nuk na bën përshtypje, pasi kush dëshiron e ka të hapur derën për t’u provuar te Besëlidhja, por fanellën e saj do ta veshin vetëm ata futbollistë që do të bindin nga të gjitha normat që i përkasin një futbollisti me perspektivë. Që gjatë sezonit që u mbyll kam ngarkuar trajnerin Bardhi që të studiojë shumë futbollistë. Për sezonin e ardhshëm jemi të qartë për të kapur Superioren, ndaj po punojmë fort për të formatuar një skuadër triumfuese që objektivi të jetë lehtësisht i arritshëm dhe që të mos kemi nevojë për ndryshime radikale pas dy vitesh”, përfundon prononcimin e tij Noka.
 
Back To Top