Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja nis stërvitjen, akord me Malon dhe Gjokenë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dje Besëlidhja ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Në prezantimin e ekipit kanë qenë i pranishëm presidenti Gjok Noka, trajneri Sinan Bardhi, zv/trajneri Gledis Lani dhe shefi i klubit Pjetër Lesi.

Pothuajse të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin e kaluar u grumbulluan, gjithashtu kishte edhe lojtarë të vetofruar, të cilët duan të provohen te Besëlidhja. Trajneri Sinan Bardhi, në një prononcim për gazetën, u shpreh: “Shumica e futbollistëve që mbyllën sezonin janë grumbulluar. Gjithashtu ka edhe të vetofruar, por fanellën zyrtare të Besëlidhjes do ta veshin vetëm ata që me të vërtetë do të bindin. Në planet tona, në bashkëpunim me presidentin Gjok Noka, kemi 6-7 futbollistë cilësorë, ku disa prej tyre luajnë në Superiore. Deri tani kemi mundur që të bindim Juljan Malon dhe Sajmir Gjokenë, që vjen nga Kamza. Që sot (dje) ua kemi bërë të qartë futbollistëve që objektivi final është ngjitja në Superiore. Sot (dje) më shumë kemi bërë prezantimin, më pas do të vijojmë me stërvitjen”.
 
Back To Top