Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, Noka tregon planet për sezonin e ri!

Pushimet e Besëlidhjes do të marrin fund më 25 korrik. Një gjë të tillë e ka konfirmuar numri një i presidencës lezhjane, Gjok Noka, i cili ka bërë të ditur se skuadra do të nisë pikërisht punën në këtë datë për kampionatin e ardhshëm. 

Gjithashtu presidenti i Besëlidhjes shpalosi platformën për sezonin e ri dhe planet për merkaton, ku vëmendja është përqendruar dhe në tregun e huaj. “Në bashkëpunim me stafin teknik, të kryesuar nga trajneri Sinan Bardhi, vendosëm që grumbullimin e skuadrës ta bëjmë pikërisht më datë 25 korrik pasi, deri në mes të shtatorit kur nis zyrtarisht dhe sezoni i ri, skuadra ka kohën e nevojshme të marrë ngarkesën e duhur si fizike, ashtu edhe teknikotaktike. Piketimin dhe përzgjedhjen e disa futbollistëve për t’i sjellë te Besëlidhja ia kam ngarkuar Sinan Bardhit në bashkëpunim me stafin teknik, si i vetmi organizëm i specializuar në këtë fushë.

Nga ana ime, kërkohen futbollistë tepër cilësorë për ato pozicione ku kemi hasur anomali sezonin e kaluar. Përveç futbollistëve nga grupi që mbylli sezonin, të cilët kanë shprehur dëshirën për të qëndruar sërish te Besëlidhja, ka edhe shumë lojtarë të vetofruar. Nga futbollistët e huaj deri tani kemi piketuar mesfushorin e majtë, por që luan në të dy krahët, serbin Milan Gjeorgjeviç, por ende jam në dilemë. Gjithsesi, shumë shpejt do të dalim me emrat konkretë, që do t’i ofrojmë për fazën përgatitore, pasi zyrtarisht do të veshin fanellën e Besëlidhjes vetëm ata që do të bindin stafin teknik. Që ditën e parë të grumbullimit, të gjithë lojtarëve do t’ua përsëris objektivin, që tashmë e kanë të qartë: ngjitjen në Superiore”, ka përfunduar presidenti Gjok Noka.
 
Back To Top