Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Akil Jakupi: Ja pse zgjodha Besëlidhjen

Sa vjen dhe shtohet gjeografia e afrimit të futbollistëve te Besëlidhja, sidomos e atyre që vijnë nga skuadra të Superiores. Prej tri javësh, skuadra lezhjane ka nisur fazën përgatitore që po e zhvillon në Lezhë. Presidenti Gjok Noka po bën një sforco financiare për të afruar futbollistë cilësorë në skuadër, në një kohë që është rritur optimizmi se skuadra do të arrijë të ngjitet në Superiore. Këto ditë, Besëlidhjes i është bashkuar në stërvitje edhe mbrojtësi shtatlartë Akil Jakupi që ka një karrierë të gjatë në skuadrat e Superiores. Sezonin e kaluar, lojtari ishte pjesë e Teutës, kurse më parë ka luajtur edhe për Bylisin e Besën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai tregon arsyet e ardhjes te Besëlidhja dhe mundësitë e kësaj skuadre për t’u ngjitur në Superiore. “Jam një futbollist me karrierë të gjatë në skuadrat e Superiores dhe ftesa për të luajtur te Besëlidhja nuk më ka befasuar, por përkundrazi më ka motivuar, pasi është një skuadër me histori sa edhe ekipet e tjera që kam luajtur deri tani. Për mua fanella e Besëlidhjes mbetet me peshë, pavarësisht se nga vjen sezonin që shkoi. Ndaj, duhet punë dhe përkushtim maksimal. Që kur kam ardhur, po shoh një përkushtim të madh që nga presidenti Gjok Noka që i qëndron skuadrës pranë gjatë gjithë kohës, e deri te stafi teknik i kryesuar nga trajneri Sinan Bardhi. Po ashtu, te skuadra janë grumbulluar shumë futbollistë me kualitet dhe që kanë luajtur në Superiore për një kohë të gjatë. Dhe arsyet që përmenda më lart më shtynë që të firmos për të luajtur me Besëlidhjen, pasi jam i bindur se do të mbetemi gjatë gjithë sezonit lokomotiva e grupit A, gjë që na shpie automatikisht në Superiore”, përfundon mbrojtësi tiranas që vjen nga Teuta, Akil Jakupi. Ndërkaq, skuadra lezhjane ka parashikuar që gjatë ditëve në vazhdim të zhvillojë disa miqësore, duke qenë se duhet edhe një muaj deri në startin e kampionatit.
 
Back To Top