Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bardhi: Ja çelësi i Besëlidhjes për Superioren!

Sinan Bardhi, trajneri i Besëlidhjes, në një intervistë për “Panorama Sport” ka treguar për fazën përgati tore, gjendjen në grup, si dhe objektivin sezonin e ri, që pritet të startojë në fundjavë. Numri një i pankinës lezhjane s’ka dyshime që ky grup do të ngjitet në Kategorinë Superiore, ndërsa shpreh besimin në formën e futbollistëve jo vetëm të ardhur nga merkato, por edhe nga kontingjenti i sezonit të kaluar.

Të shtunën startoni sezonin e tretë në krye të Besëlidhjes…
Që në gjysmën e dytë të fazës së dytë të sezonit 2012- 2013 jam ulur në pankinën e Besëlidhjes. Fatkeqësisht, asokohe, edhe pse fituam pjesën dërmuese të sfidave, nuk mundëm ta shmangnim dot rënien, kjo dhe për shkak të rregullores së kampionatit. Megjithatë, ia dolëm të ngjiteshim sërish në të Parën dhe në fundjavë presim të startojmë sezonin e ri. Kjo do të na shërbejë si bazë nisjeje për në Superiore.

Sa jeni i kënaqur me fazën përgatitore?
Faza përgatitore ka zgjatur një muaj e gjysmë, kohë e mjaftueshme që lojtarët të merrnin ngarkesën e nevojshme fizike e tekniko-taktike. Pjesa më e madhe e kontingjentit e ka kaluar me sukses testin e pranimit, po ashtu janë rehabilituar definitivisht për të qenë të gatshëm në ndeshjet zyrtare. Jam i kënaqur me futbollistët që kam selektuar për formacionin bazë.
A e përmbushin misionin për të cilin i keni thirrur futbollistët e ardhur në merkato?
Lojtarët e ardhur në merkato janë me kualitet dhe më kryesorja është fakti se kanë një eksperiencë të gjatë në skuadra të Superiores, prej edhe nga vijnë. Gjatë fazës përgatitore të gjithë të ardhurit e merkatos më kanë bindur, ndaj dhe jam tepër i kënaqur me përzgjedhjet e mia. Gjithashtu dhe pjesa më e madhe e futbollistëve që mbyllën sezonin e shkuar janë po aq të vlefshëm sa ata të ardhurit. Ndaj dhe pjesa dërmuese e tyre janë të sigurt në formacion. I rëndësishëm është fakti që kemi një stol tepër cilësor, çka do të jetë dhe çelësi i suksesit.

Objektivi i vënë nga presidenca këtë sezon është ngjitja në Superiore. Sa i bindur jeni në përmbushjen e këtij misioni?
Objektivin e kemi të qartë, ndaj dhe kemi bërë një merkato cilësore dhe të kushtueshme. Rruga për Superiore është e gjatë dhe e vështirë. Kjo, pasi këtë sezon Kategoria e Parë është me kualitet superioreje, duke qenë se në të militojnë shumë skuadra të elitës. Megjithatë, jam i bindur në forcën dhe performancën e skuadrës së re. Praktikisht sinjalin se Besëlidhja është një skuadër e pathyeshme e dha edhe të shtunën në miqësoren ndaj Kukësit. Bindjen time për sukses e mbështes edhe te përkrahja që kemi nga presidenti Gjok Noka.

E nisni në shtëpi me Burrelin. Si paraqitet gjendja në skuadër?
Fatmirësisht pjesën më të madhe të futbollistëve e kam në gjendje të mirë fizike, ndaj edhe jam i qetë për këtë. Të shtunën ndaj Burrelit, Besëlidhja do të luajë lojën e saj. Jam i bindur se do ta nisim me fitore.
 
Back To Top