Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Familjarisht në Lezhë, Milan Gjorgjeviç ndihet "vendas"

Mesfushori serb Milan Gjorgjeviç, i cili do të mbrojë për herë të dytë fanellën e Besëlidhjes, shprehet tepër i kënaqur me trajtimin e tij dhe të të gjithë futbollistëve të organikës. Në një bisedë për “Panorama Sport” ai ka treguar për ambientin e gjetur në Lezhë, si dhe synimin për sezonin e ri. “Për mua është hera e dytë që luaj me Besëlidhjen dhe jam tepër i kënaqur me gjithçka, që nga akomodimi, trajtimi dhe kushtet e stërvitjes. Ndërkohë që edhe kur kam luajtur herën e parë me Besëlidhjen, skuadra ishte tepër cilësore, madje për shumë javë kryesonim kampionatin, por penalltitë na ndanë nga Superiorja. Gjithashtu, edhe sezonin e ri objektivi është ngjitja në Kategorinë Superiore, që është i realizueshëm. Për këtë jam më se i bindur. Bindjen time e mbështes te përbërja e skuadrës, ku ka shumë futbollistë cilësorë, të cilët gjatë seancave stërvitore, apo në ndeshjet miqësore po shpalosin vlerat e tyre më të mira. Te Besëlidhja shikoj një klub tepër të organizuar dhe cilësor, pavarësisht kategorive në të cilat luan. Për mua është një skuadër që i shërben Kategorisë Superiore dhe jo kalimtare që zbret shumë shpejt nga andej”.

Familja – Mesfushori i majtë, serbi Milan Gjorgjeviç ka marrë në Lezhë edhe familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën. Ai shprehet i lumtur që banon në një qytet si Lezha. “E kam sjellë në Lezhë familjen, pasi është një qytet bashkëkohor nga të gjitha pikëpamjet, po ashtu edhe tepër mikpritës. Mua më pëlqen antikiteti dhe këtu në Lezhë po shikoj qytetërim shumë më të hershëm, nga sa e imagjinoja. Kjo më ka frymëzuar që të ‘dashurohem’ me këtë qytet. Po ashtu edhe familja ime ndihet mirë në Lezhë”, ka përfunduar serbi i lezhjanëve.

Trajtimi - Lojtarët e Besëlidhjes janë shprehur të kënaqur si me kushtet e stërvitjes, po ashtu edhe me trajtimin nga ana e drejtuesve, sidomos nga presidenti Gjok Noka, i cili, pa nisur ende kampionati, shpërndau rrogat. Ndërkaq, në miqësoren e zhvilluar ndaj Vorës, lezhjanët treguan se janë të projektuar për t’u ngjitur në Superiore, ku, edhe pse kishin 5 mungesa në formacion, bënë një paraqitje mjaft të mirë.
   
Back To Top