Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 1: Besëlidhja - Burreli 1:0. Vendos Jakupi në minutat shtesë

Besëlidhja e nis mirë kampionatin e këtij viti. Lezhjanët kanë arritur të fitojnë 1-0 në ndeshjen premierë që kanë luajtur në fushën e tyre ndaj Burrelit. 

Të besuarit e Bardhit kanë vuajtur shumë në takimin e djeshëm dhe e kanë shënuar golin e fitores vetëm në minutën e parë shtesë. Për rreth 20 minuta, miqtë nga Burreli kanë luajtur me dhjetë lojtarë, pasi Bruka është ndëshkuar me karton të kuq, për shkak se goditi kundërshtarin duke krijuar një moment tensioni në fushën e lojës. Loja ka nisur e qetë nga të dyja skuadrat, por shumë shpejt miqtë matjanë kanë tentuar në disa raste. Në minutën e 10- të, Besëlidhja organizon një sulm me anë të Marashit, por nuk arrijnë të finalizojë, pasi ndërhyn mbrojtja matjane. Pas 15 minutash, loja zhvendoset në gjysmëfushën lezhjane dhe në një moment Rapo provon të gjuajë nga jashtë zone, por topi del jashtë. Në të 24-n, Gruda ekzekuton një faull afër zonës matjane, por topi përplaset në mur dhe nuk përbën rrezik.

Pas minutës së 25-të loja ndizet dhe kontrollohet nga Besëlidhja duke sulmuar në kërkim të golit. Pas këtij rasti, deri në minutën e 32-të, loja zhvendoset përsëri në mesfushë duke e zbehur sfidën deri në mërzi për tifozërinë. Në minutën e 37-të, Bruka në hyrje të zonës lezhjane gjuan duke e detyruar Rexhepin që ta nxjerrë topin në goditje këndi. Në të 40-n, Marashi i gjendur përballë portës matjane humbet një rast të mirë. Edhe në pjesën e dytë, lezhjanët janë më kërkues. Në një moment, vendësit organizojnë një sulm, po një nga futbollistët vendës pengohet në hyrje të zonës. Ekzekutimin e goditjes së dënimit e merr përsipër Gruda, por goditja e tij pritet nga Xhixha.

Në minutën e 73-të ka një kundërsulm të Besëlidhjes që ndalet nga Bruka në hyrje të zonës me një ndërhyrje të ashpër. Në këtë moment krijohet tension mes lojtarëve të të dyja skuadrave që përplasen me njëri-tjetrin. Arbitri i nxjerr kartonin e kuq Brukës së miqve që protestoi shumë ashpër ndaj arbitrit. Matjanët mbeten me 10 futbollistë, por trajneri Vladimir Gjoni arrin që ta rreshtojë skuadrën mirë. Pas këtij momenti, lezhjanët shtojnë forcat në sulm. Në minutën e 86-të, Mehja sulmon nga e djathta, kroson në zonë, por Puka nuk arrin në kohë. Në të 90-n, Besëlidhja organizohet duke sulmuar fuqishëm deri në zonën mike, por mbrojtësit e nxjerrin topin në goditje këndi. Krosi nga flamuri shfrytëzohet me mbrojtësin Jakupi, i cili godet me kokë dhe shënon. Shpërthen festa në Lezhë, në një kohë që tifozët, të cilët ishin rreth 1500, në shkallët e stadiumit nisin festën. Nuk ka më kohë dhe gjithçka përfundon me fitoren e Besëlidhjes 1-0.

Besëlidhja - Burreli 1:0
Shënues: Jakupi 91′
Besëlidhja: Rexhepi, Shytani, Jakupi, Dibra, Baçi, Gjorgjeviç (Mehja 58′), Muçollari, Gruda (Lini 62′), Gjokeja, Marashi (Puka 82′), Malo. Trajner: S.Bardhi
Burreli: Xhixha, Kaloshi, Mellugja, Qëndro, Met’hasani, Rapo, Bruka, Hyseni (Markaj 72′), Mata (Tema 92′), Pirani, Sala. Trajner: V.Gjoni
Kartonë të verdhë: Gruda 48′/ Mata 76′, Markaj 78′
Karton i kuq: Bruka 73′
Gjyqtarë: K.Shahini, F.Elezi, D.Demiragu (Durrës)
 
Back To Top