Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Këtë të shtunë do të nisë më në fund Kampionati i Kategorisë së Parë

Më në fund, Kategoria e Parë dhe e Dytë do të nisin këtë fundjavë. Pasi dy herë shtyrjes së të Parës dhe një herë të së Dytës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur dje që këto liga të startojnë të shtunën dhe të dielën. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Megjithatë, KE ka vendosur sanksione për klubet, të cilët nuk kanë shlyer ende detyrimet vjetore pranë federatës. Fillimisht klubet duhet të depozitojnë gjysmën e shumës që detyrohen në arkën e institucionit të futbollit brenda kësaj jave dhe, më pas, pjesën tjetër ta shlyejnë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Nëse nuk depozitojnë në arkën e FSHF-së as gjysmën e detyrimeve brenda javës, atëherë klubet do ta humbasin ndeshjen në tavolinë. Ndërkaq, federata ka kërkuar nga të gjitha klubet pjesëmarrëse garancinë e policisë që merr përsipër sigurinë për mbarëvajtjen e ndeshjeve gjatë të gjithë kampionatit.

Vendimet - “Sot (dje), në Federatën Shqiptare të Futbollit, nën drejtimin e presidentit Armand Duka, është mbledhur Komiteti Ekzekutiv, që mori disa vendime të rëndësishme. Në lidhje me kampionatet kombëtare të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, Komiteti Ekzekutiv vendosi: Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të fillojnë aktivitetin këtë fundjavë. Ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015. Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF për t’i likuiduar më 31 dhjetor 2014. Nëse brenda javës klubet pjesëmarrëse nuk likuidojnë 50% të detyrimeve, klubet debitore humbin ndeshjen në tavolinë. Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin brenda javës në FSHF garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit. Në të kundërt, duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera, të miratuara nga Policia e Shtetit. Në fundjavë fillon edhe kampionati kombëtar U-17 dhe U-19, Kategoria e Parë. Brenda javës, të gjitha ekipet duhet të shlyejnë detyrimet e sezonit 2014-2015. Nëse nuk i shlyejnë ato, klubet debitore e humbin ndeshjen në tavolinë”, thuhet në vendimet e djeshme të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Kampionati i Kategorisë së Parë do të nisë të shtunën, ndërsa ai i së Dytës të dielën.
 
Back To Top