Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Të ndëshkohen ato klube që nuk plotësojnë kushtet

Sipas kalendarit të Kategorisë së Parë, të shtunën e kaluar duhej të niste kampionati. Mirëpo starti është shtyrë për shkak të problemeve që kanë disa klube të këtij kampionati me stadiumet e tyre që nuk plotësojnë kushtet dhe fakti që disa të tjera nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj FSHF-së. 

Në lidhje me këtë vendim të federatës, presidenti i skuadrës lezhjane, Gjok Noka, u shpreh: “Kur gjithçka ishte gati dhe prisnim të qetë ardhjen e Burrelit për të zhvilluar ndeshjen zyrtare, pa pritur në orët e vona të së premtes na njoftojnë se zhvillimi i ndeshjeve të Kategorisë së Parë anulohen pa afat. Duke u nisur nga kjo, pasi u interesuam për një precedent të tillë, morëm vesh se kjo ndodh, sepse disa klube nuk i kanë shlyer detyrimet financiare ndaj federatës. Besëlidhja i ka shlyer që të gjitha detyrimet financiare ndaj federatës, madje që para afatit, po ashtu edhe dokumentacioni i federimeve është pranuar si i rregullt, ndaj jam shumë i indinjuar nga ky ndëshkim kolektiv i papritur. FSHF duhet ta kishte bërë të ditur që më parë një parregullsi të tillë. Ne ishim të shqetësuar për organizimin e aktivitetit dhe po punonim që gjithçka të shkonte në normalitet, por pa pritur na komunikohet anulimi. Edhe pse detyrimet financiare të caktuara nga federata janë shumë të larta, ndoshta edhe të papërballueshme nga klubet, ne edhe me këtë faturë i kemi shlyer të gjitha detyrimet, ndaj kërkojmë shpjegime për këtë ndëshkim kolektiv. Unë jam i mendimit dhe besoj se është edhe e natyrshme që të ndëshkohen ato klube që nuk plotësojnë kushtet”, thotë Noka.

Në lidhje me ngjarjet e dhunshme që ndodhën në Shkodër të enjten, presidenti i Besëlidhjes thotë: “Rrëmuja e pakuptimtë që ndodhi në ‘Loro Boriçi’ të enjten është një precedent që duhet dënuar me gjithë forcën e ligjit. Shteti duhet që ta kthejë vëmendjen edhe më shumë nga futbolli, sidomos nga siguria në stadiume, pasi është një detyrim kushtetues. Unë e dënoj këtë ngjarje që na tronditi shumë. Duke u nisur nga kjo, federata duhet që vëmendjen t’ia kushtojë më shumë disiplinës, se sa rritjes së tarifave të detyrimeve të klubeve”, përfundon prononcimin Gjok Noka.
 
Back To Top