Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Malo: I kemi të gjitha mundësitë për të kapur elitën!

Fundjavën e kaluar, Besëlidhja siguroi një barazim të vlefshëm në Pukë ndaj Tërbunit, duke ruajtur kreun e tabelës, por me pikë të barabarta me Mamurrasin. 

Në këtë sfidë të vështirë në transfertë, sulmuesi Julian Malo shënoi për lezhjanët nga pika e bardhë, në një kohë që ishte një prej më të mirëve në fushë. Malo, i cili ka luajtur më parë me Partizanin, Laçin apo ekipe të tjera në Superiore, po shijon një moment super me Besëlidhjen. Deri tani, në katër takimet e zhvilluara, ai ka shënuar tre gola.

“Tërbuni është një skuadër mjaft e fortë, jo vetëm se është ndjekësja jonë më e afërt në renditje, por kjo është reale. Ndaj, gjatë të gjithë javës u përgatitëm intensivisht për këtë pikë dhe jam i lumtur që e morëm. Gjatë pjesës së parë i patëm të gjitha mundësitë që të kalonim në avantazh, pasi e kontrolluam lojën, por fati nuk na buzëqeshi. Pjesën e dytë vendësit u mobilizuan edhe më shumë se në të parën. Edhe pse u ndëshkuam, kjo nuk na dëshpëroi, përkundrazi, u mobilizuam duke besuar te barazimi dhe ia arritëm qëllimit. Jam i gëzuar dhe i lumtur që arrita ta kthej në gol penalltinë që më besoi trajneri, duke mos e shpërdoruar besimin e tij. Ky gol na riktheu edhe një herë në krye të grupit tonë, ndaj duhet që të jemi vigjilentë në të gjitha ndeshjet, pasi nuk na mungon kualiteti për ta ruajtur deri në fund kreun”, u shpreh fillimisht Malo.

Më tej sulmuesi i Besëlidhjes thotë: “Deri në përfundim të sezonit rruga është shumë e gjatë dhe e vështirë, por me kurajë e shpirt gare që Besëlidhjes nuk i mungojnë, do t’i kapërcejmë këto vështirësi dhe në fund do të shpërblehemi me ngjitjen në Superiore. Jemi një grup shumë cilësor lojtarësh dhe kemi eksperiencë. I kemi të gjitha mundësitë për të kapur elitën dhe për ta çuar skuadrën aty ku e meriton”, përfundon Malo.
   
Back To Top