Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Marashi: E ruajmë kreun, s’ndalem me golat

Pas fitores së thellë 5-0 të së shtunës ndaj Veleçikut, Besëlidhja kryeson e vetme Grupin A, kryesim që kërkon ta ruajë deri në fund të kampionatit.

Lezhjanët e kanë nisur mbarë sezonin e ri, duke marrë pikët e plota në tri ndeshjet e para dhe me një golavarazh tepër pozitiv, pa pësuar ende gol. Në morinë e golave të shënuar gjatë ndeshjes ndaj Veleçikut, dy mbajnë autorësinë e sulmuesit kurbinas, Bledar Marashi, i cili erdhi te kjo skuadër në merkaton e verës. Në një bisedë për “Panorama Sport”, sulmuesi Marashi u shpreh i vendosur për ta vijuar, madje pasuruar edhe më tepër golavarazhin e Besëlidhjes edhe me gola që mbajnë autorësinë e tij. “Që në javën startuese të kampionatit Besëlidhja tregoi se objektivin për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore nuk e ka në letra, sa për të mbajtur shpresat ndezur, por po tregon se është me të vërtetë serioze dhe e realizueshme. Merkato verore dhe zhvillimi me sukses i fazës përgatitore po i jep frytet që tani, ndaj duhet të ruajmë, madje ta pasurojmë me rezultate edhe më të thella se sa ndaj Veleçikut. Edhe pse jemi një skuadër që është rindërtuar pothuajse nga e para, pasi vjen nga një kategori më poshtë, për t’u tranzituar në elitën e futbollit shqiptar, futbollistët tashmë janë familjarizur dhe skuadra është bërë solide. Edhe pse deri më tani kemi marrë rezultate maksimale dhe për më tepër pa pësuar asnjë gol të vetëm, duhet të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë, pasi kemi shumë rrugë për të përshkuar, nga ku do të kemi shumë pengesa. Ne po përgatitemi për t’i kapërcyer me sukses, pasi iu kemi premtuar tifozëve për ngjitjen në Superiore”.
 
Back To Top