Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 5: Besëlidhja - Kastrioti 3-0. Lezhjanët nuk falin në shtëpi!

Besëlidhja nuk ka falur në shtëpi, ku ka mundur Kastriotin me rezultatin 3-0. Me një gol në pjesën e parë dhe dy në të dytën, lezhjanët kanë mposhtur krutanët, duke ruajtur kështu kreun e grupit, edhe me golavarazh. 

Që në minutat e para, vendësit arritën të kontrollonin lojën me qetësi, duke krijuar raste për shënim, por pa sukses. Lezhjanët nuk rreshtin së sulmuari portën krutane si nga krahët, ashtu edhe në qendër me anë të Allamanit, Gjorgjeviçit dhe Malos, por hezitojnë përpara portës mike. Kjo situatë alarmi në zonën e Kastriotit zgjati deri në minutën e 24-t, kur krutanët fitojnë një faull në të djathë të sulmit të tyre, por topi largohet nga mbrojtësi Jakupi. Në të 24-n Gjorgjeviç, pasi merr një top nga Jakupi, shmang një lojtar krutan dhe pason për Malon në qendër. Ky i fundit kroson lehtë nga e majta për tek Allamani, i cili gjuan me kokë, duke e çuar drejt e në rrjetë. Delir te vendësit, të cilët, pas këtij momenti organizohen në kërkim të dyfishimit të rezultatit. Në minutën e 46-të, Jakupi gjuan fort me kokë, pas një krosi korneje, por pret Selaci. Me rezultatin 1-0 në favor të Besëlidhjes, skuadrat respektive do të shkonin në dhomat e zhveshjes.

Ndryshe nga fraksioni i parë, i dyti nis më i miri për krutanët. Në të 46-n Guri ka një rast ideal për të shënuar, teksa i gjendur përballë portës lezhjane e nxjerr topin jashtë. Në të 52-n minutë Hoxha gjuan fort, por pret gardiani i Besëlidhjes, Rexhepi. Lezhjanët rimarrin frenat e lojës në dorë dhe hidhen në sulm në kërkim të golit të dytë. Rastet e njëpasnjëshme të Besëlidhjes do të shpërbleheshin në minutën 60. Dibra shfrytëzon më së miri një kros të dhënë nga Malo, gjuan fort me kokë, duke dyfishuar rezultatin. Në të 66-ën, Ndoni pengon nga pas Malon dhe gjyqtari e ndëshkon me të kuqe, duke i lënë krutanët me 10 futbollistë. Vendësit kërkojnë të përfitojnë dhe sulmojnë pa reshtur, por pa sukses. Në minutën e 76-të, krutanët arrijnë që ta kontrollojnë topin, duke fituar një korne që sfumohet nga mbrojtësi Jakupi. Në minutën e 86-të, Malo gjuan nga vija e zonës krutane dhe topi kalon ngjitur me pingulen e Selacit. Në të 87- ën minutë lezhjanët i afrohen zonës mike, duke krijuar pasiguri mes mbrojtësve dhe në rrëmujë e sipër Malo trefishon rezultatin. Besëlidhja merr tri pikët dhe vazhdon rrugën drejt objektivit.

Besëlidhja - Kastrioti 3-0
Shënues: Allamani 25′, Dibra 60′, Malo 87′
Besëlidhja: Rexhepi, Baçi, Jakupi, Dibra, Gjokeja, Marashi, Allamani (Puka 82′), Hoxha, Gjorgjeviç (Mehja 68′), Lini (Begaj 54′), Malo. Trajner: S.Bardhi
Kastrioti: Selaci, Caca, Hoxha, Ndoni, Kule, Stafa, Rroshi (Rustami), Bytyçi (Shkreta 28′), Pengili, Guri, Bakiu (Lama 64′). Trajner: Sh.Rustami
Gjyqtarë: E.Dyrmishi, G.Qirici, N.Bregasi (Tiranë);
Kartonë të verdhë: Jakupi 9′/ Hoxha 12′, Kule 62, Bakiu 37′
Karton i kuq: Ndoni 66′
   
Back To Top