Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 6: Besa - Besëlidhja 1-2. Tifozët lezhjanë në delir!

Një sfidë me shumë raste dhe lojë e hapur. Në fund, lezhjanët realizojnë golin e fitores me Malon, por vendësit protestojnë fort ndaj gjyqtarit anësor duke pretenduar për pozicion jashtë loje. Arbitrit kryesor dhe atij anësor i janë dashur rreth tri minuta për të vendosur nëse goli i Malos ishte gol apo jo. Në fund, është vendosur se ka qenë i rregullt. Me 3 pikëshin e djeshëm, lezhjanët vazhdojnë të jenë sërish në krye të klasifikimit të Grupit A.

Me dy mungesa, Kuli dhe Lushkja, verdhezinjtë startojnë ndeshjen ndaj kryesuesve të Besëlidhjes. Një start i mirë që konkretizohet që në minutën e 6-të. Çelhaka shfrytëzon mrekullisht një top në zonë dhe kalon Besën në avantazh. Më pas janë disa gjuajtje të Muçës, Sallakut e Krasniqit që vënë nën shënjestër portën mike. Miqtë, rastin e parë e krijojnë vetëm në minutën e 26-të kur me kokë brenda zonës godet Muçollari, por jashtë. Ky aksion i miqve mbetet i vetmi. Më pas, janë Muça e Krasniqi të pafat, pasi i pari godet tranversën dhe i dyti shtyllën pingule. Një Besë që dominon sfidën, krijon raste, por nuk finalizon. Megjithatë, në minutën e 55-të, është Jakupi i Besëlidhjes që i ndodhur në zonë kërcen mbi të gjithë mes mbrojtjes dhe arrin të barazojë, 1-1. Pavarësisht kësaj, loja ruan të njëjtën pamje ku Besa sulmon dhe miqtë mbrohen. 18-vjeçari Krasniqi, pa dyshim më i miri në fushë, i rrethuar gjithnjë nga dy mbrojtës, nis të shërbejë për Bajazitin, Caushajn dhe Pelingu, por mungon finalizimi. Minutat kalojnë dhe në të 88-n vjen kundërsulmi fatal i miqve që gjen të lirë mbi vijën fatale Malon që shënon. Ky gol sjell protesta të fuqishme në stadium ku i gjithë stafi dhe futbollistët i drejtohen anësorit dhe kryesorit duke pretenduar për pozicion jashtë loje. Kryesorit Jemini dhe anësorit i duhen rreth tri minuta për të vendosur ta konsiderojnë të rregullt golin dhe ndëshkon Muçën për protesta me karton të verdhë. Miqtë e menaxhojnë avantazhin edhe në minutat shtesë.

Besa - Besëlidhja 1-2
Shënues: Çelhaka 6′/ Jakupi 55′, Malo 88′
Besa: Laço, Zeqaj, Perja, Balaj, Pelingu, Muçaj, Mezini (Beqja 74′), Caushaj, Çelhaka (Bajaziti 65′), Krasniqi, A.Sallaku. Trajner: A.Mërgjyshi
Besëlidhja: Rexhepi, Baçi, Jakupi, Dibra, Gjokeja (Mehja 76′), Marashi, Allamani (Shytani 76′), Muçollari (Lini 83′), Hoxha, Xhorxheviç, Malo. Trajner: S.Bardhi
Kartonë të verdhë: Mezini 13′, Gjokeja 37′, Malo 57′, Xhorxheviç 60′, Shytani 72′, Dibra 87′, Muça 88′
Karton i kuq: Çelhaka (në stol)
Gjyqtarë: L.Jemini, D.Myftari, N.Bregasi (Tiranë)
   
Back To Top