Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 7: Besëlidhja - Kamza 6-0. Goleadë dhe emocione në Lezhë

Besëlidhja vazhdon me hap pretendenti, teksa ka mposhtur me rezultatin e thellë 6-0 Kamzën. Nga tre gola për çdo pjesë, lezhjanët nuk e kanë pasur të vështirë të mposhtin kamzalinjtë, duke ruajtur kështu kreun e Grupit A. Nga ana tjetër, miqtë janë paraqitur me të rinj, kjo për shkak të problemeve të fundit. Ndërkohë në sfidën e djeshme risi ishte se pas dy sezonesh mungese, tifogrupi “Dragojt e Veriut” e mbushën tribunën përballë të veshur me uniformën e sjellë nga Italia, duke ia rikthyer jehonën stadiumit “Besëlidhja”.

Që në start, Besëlidhja e ka kontrolluar lojën, duke bërë që miqtë të mbyllen në gjysmëfushën e tyre. Në minutën e 2-të, Hoxha lëshon një silurë nga rreth 18 metra distancë, duke i nxjerrë të tijtë në avantazh. Në të 14-tën, Malo ekzekuton një goditje dënimi, por grushton portieri mik Sejdo, duke e nxjerrë në goditje këndi. Në të 21′ dhe në të 27′ futbollistët e Besëlidhjes shpërdorojnë me anë të Malos dhe Marashit. Sulmet e njëpasnjëshme të Besëlidhjes do të shpërblehen në të 35′, kur Gjorgjeviç ekzekuton goditjen e këndit dhe Akil Jakupi, i ardhur nga mbrojtja, çohet më lart se të gjithë dhe me kokë e devijon topin në rrjetë, duke e dyfishuar rezultatin. Pa kaluar tri minuta nga goli i Jakupit, pikërisht në të 38-n, Malo shënon golin e tretë. Në të 40-n, Dibra gabon i vetëm me portierin Sejdo. Kamzalinjtë pas 15 minutash arrijnë të hyjnë në zonën vendëse, por pa rrezik për Demin. Me rezultatin 3-0 mbyllet pjesa e parë.

Ndërkaq, fraksioni i dytë ishte i njëjtë me atë të parin, si në gola, ashtu edhe me lojë. Në minutën e 52-të, pas një goditjeje dënimi nga e majta e sulmit lezhjan nga ku topi kalon diagonal në zonën kamzalie, Marashi, i gjendur fare pranë portës, nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin e Kamzës. Në të 58′, Malo lëshon një top diagonal nga e majta e sulmit vendës dhe Marashi, fare pranë portës, madje pa portier gabon, duke e nxjerrë topin jashtë. Në minutën e 66-të, pas një sulmi të shpejtë, Marashi shënon dopietën e tij dhe të 5-in për Besëlidhjen. Në të 85′ i riu Rudolf Turkaj, i cili është një lojtar premtues për të ardhmen, lëshon një kros në drejtim të Pukës. Ky i fundit e devijon në gol, duke e vulosur rezultatin në 6-0.

Besëlidhja - Kamza 6-0 
Shënues: Hoxha 2′, Jakupi, 35′, Malo 38′, Marashi 52′ 66′, Puka 86′
Besëlidhja: Demi, Baçi, Jakupi, Dibra, Gjokeja (Shytani 46′), Hoxha, Gjorgjeviç, Marashi, Allamani (Turkaj 70′), Lini, Malo (Puka 56′); Trajner: S.Bardhi
Kamza: Sejdo, Nino, Udoh, Gjonaj, Abazaj, Lame, Zuna, Koleci, Olatunji (Smero 70′), Lala, Etjen. Trajner: B.Doku
Gjyqtarë: J.Xhaja, A.Shkreta, A.Bixhi (Tiranë);
Karton i verdhë: Abazaj 72′
   
Back To Top